Altin Dumani, kreu i SPAK, raportoi sot në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ndërsa iu përgjigj për disa orë pyetjeve të ndryshme të deputetëve, që nisnin nga çështja Berisha, për të vijuar më pas me hetimet për Erion Veliajn, inceneratorët, presionet politike apo nëse SPAK po përdorej politikisht për të sulmuar opozitën.
Gjatë raportimit 5 orësh në Komision, kreu i SPAK foli për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, pastrimin e parave, kërcënimet ndaj Prokurorëve të SPAK etj. Ai tha se “ka prani të pastrimit të parave, që bëhet edhe me ndërtimet. Edhe terrorizmi është ndër aktivitetet kriminale më të rralla. Sa i takon korrupsionit, përdoret procedura që përfitojnë nga fondet publike, që përdorin llogari offshore. Edhe disa banka janë të përfshira në skemën e pastrimit të parave”.
Dumani tha se ka një bashkëpunim mes SPAK dhe Policisë, ndërsa u shpreh se një pakicë minimale, e cila mund të jetë përfshirë në lidhje me krimin, nuk mund të bëjë pis gjithë trupën.
“Janë raste publike kur janë kërcënuar prokurorët e SPAK-ut. Kërcënimi ka ardhur nga krimi i organizuar. Është shqetësim që e kemi adresuar. Në fund të dhjetorit të vitit 2023 ndërmorëm disa hapa, por ka një problematikë sa i përket mbrojtjes së familjarëve. Prokurorët janë të mbrojtur, por familjarët duke filluar nga ata të drejtuesve dhe të prokurorëve ka një problematikë, është procedurë e gjatë, duhet të ketë prova”, tha Dumani, duke iu përgjigjur një prej pyetjeve që iu drejtua në mbledhjen e Komisionit.
Për ish-Kryeministrin Sali Berisha, Dumani u shpreh se drejtësia nuk mund të sfidohet, duke dhënë kështu një përgjigje mbi atë se përse ndaj tij ishte vendosur masa “arrest shtëpie”.
Dumani përjashtoi kategorikisht mundësinë që ndaj tij apo institucionit që drejton të kishte ndikim politika, ndërsa u shpreh se ai mbetet i njëjti prokuror që në 2008 drejtoi Task Force kundër korrupsionit, ndërsa në 2024 drejton SPAK. Dhe duket se me këtë përgjigje Dumani i ka kthyer “reston” akuzave politike që i bëhen pothuajse çdo pasdite nga ish-Kryeministri Berisha, që e konsideron kreun e SPAK një vegël të Ramës. Duke i kujtuar vitin 2008, kohë kur në qeverisje ishte Berisha, dhe ai mori drejtimin e Task Force në Prokurori, periudhë që ish-kryeministri thurte lavde për Dumanin, ky i fundit ka pohuar para deputetëve që mbetet i njëjti si në 2008 ashtu edhe në 2023 apo 2024, një prokuror që politika ka zero ndikim.
Gjatë përgjigjeve, kreu i SPAK u shpreh se ka hetime që po zhvillohen, përfshi edhe kryebashkiakun e Tiranës, por nuk pranoi të bëjë më shumë komente për çështjet që janë nën hetim.
“Nuk i jap përgjigje as për ju të nderuar, as për mediat se kjo është çështje hetimi”, tha ai.
Lidhur me inceneratorët dhe hetimet e SPAK, kreu i Prokurorisë Speciale tha se çdo para që del nga buxheti i shtetit shkon tek Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
“Kjo është publike. Që nga muaji gusht që është sekuestruar çdo para shkon në llogari të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara asnjë qindarkë te pronarët. Çdo para që del nga buxheti i shtetit shkon tek Agjencia e Pasurive”, tha Dumani.
Ai ka kërkuar respektimin e pavarësisë institucionale dhe sigurinë jurike, teksa u pyet mbi një inisiativë për ngritjen e një komisioni të posaçëm nga Kuvendi për monitorimin e punës.
“Për sa i përket një Komisioni të Posaçëm është arritur një rezolutë. Nuk e di se në çfarë faze është Kuvendi, por jam njohur me projektrezolutën. Mbrojtja e pavarësisë institucionale dhe siguria juridike duhet të jenë parime që duhet të udhëheqin çdo reformë. Duhet të respektohet fryma kushtetuese, të respektohen pushtetet. Mendoj që paketa ligjore do të reflektojë për mirë në Reformën në Drejtësi”, u shpreh Dumani.
Në pyetjet që iu drejtuan kreut të SPAK ishte edhe ajo nëse ai konsideronte të kishte koleg kryetarë bashkish, referuar një deklarate të bërë nga Veliaj pak ditë më parë, ndërsa Dumani u shpreh “kolegë kemi vetëm njeri-tjetrin, atje te SPAK-u dhe kemi edhe kolegë të Byrosë Kombëtarë të Hetimit. Kemi kolegë ata që ushtrojnë funksione në ato zyra”
Në deklaratat e tij, kreu i SPAK vuri theksin te burimet njerëzore që janë mëse të nevojshme për punën e SPAK, duke theksuar se kemi nevojë për hetues. Por gjithashtu ai kërkoi një bashkëpunim më të madh nga institucionet për denoncimin e fenomeneve korruptive.
“Kemi nevojë për burime njerëzore. Kemi nevojë edhe për hetues. Kemi një rënie të numrit të referimeve nga institucionet me 40%, përjashtuar këtu Policinë e Shtetit. Thirrja që unë bëj që të gjitha institucionet duhet të bashkëpunojmë për të luftuar korrupsionin. Të gjitha institucionet duhet të bashkëpunojnë me ne, ne jemi shumë të hapur, por ne jemi hallka fundore e procesit. Ka vend për përmirësim dhe thellim të bashkëpunimit me institucionet e tjera”, tha Dumani.