Kreu i Shtetit, Bajram Begaj në një konferencë për shtyp me presidenten e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar, i ka uruar homologes së tij mirëseardhjen në vendin tonë duke e quajtur “toka e Zotit dhe mikut”.
Begaj u shpreh se Sllovenia ka mbështetur integrimin europian të vendit, ndërsa trupat e saj ushtarake janë pjesë e KFOR në Kosovë, duke e falenderuar për rolin e tyre për paqen e sigurinë në rajon.
“Ju uroj mirëseardhjen në tokën e Zotit dhe të mikut, siç ne e quajmë Shqipërinë. Shqipëria dhe Sllovenia gëzojnë miqësi tradicionale dhe zhvillojnë marrëdhënie të mira, që bazohen jo vetëm në interesa të përbashkëta, por edhe në vlera të përbashkëta e partneritete strategjike, sidomos në kuadër të NATO dhe perspektivës së përbashkët europiane. Ju falenderoj për mbështetjen që Sllovenia ka treguar në procesin e zgjerimit europian të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe në procesin e anëtarësimit të BE-së në veçanti.
Shpreh vlerësimin tim për pjesëmarrjen në trupat e KFOR në Kosovë, për rolin që luan për paqen dhe sigurinë në rajon”, tha Presidenti Begaj.