Rezoluta anti-korrupsion e PS-së, Rithemelimi pa qëndrim për votën

Shqipëria

Rezoluta anti-korrupsion e PS-së, Rithemelimi pa qëndrim për votën

Më: 24 maj 2024 Në ora: 19:10
Rezoluta anti-korrupsion e PS-së, Rithemelimi pa qëndrim për votën

Edhe pse të hënën parlamenti pritet të votojë një rezolutë të mazhorancës që parashikon ngritjen e një komisioni ad-hoc parlamentar për reforma të reja anti-korrupsion, grupimi më i madh opozitar i njohur si “Rithemelimi” nuk ka bërë ende publik qëndrimin e tij.

Gazment Bardhi, kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN-it nëse do ta votojë rezolutën e socialistëve.

Më herët kur rezoluta u bë publike ai paralajmëroi një vendim politik të grupit, duke lënë kështu një derë hapur për bashkëpunim.

Me gjasë qëndrimi do të bëhet i ditur në momentin e fundit, ndërsa argumentimi për të marrë ose jo pjesë në këtë komision do të shprehet gjatë diskutimeve në 4 orët debatit të parashikuara për këtë çështje në seancën e së hënës.

Grupi i “Rithemelimit” është pjesë e një kompromisi tjetër me mazhorancën qeverisëse, që solli si rezultat rikthimin e opozitës në Kuvend dhe ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare dhe një grup dialogu për reformën zgjedhore.

Nisma u bë publike në fillim të prillit nga kryeministri Edi Rama dhe disa eksponentë opozitarë nxituan ta kundërshtojnë atë si një nismë që mund të cenonte reformën në drejtësi.

Enkelejd Alibeaj, një deputet nga Partia Demokratike zyrtare e konsideroi absurd faktin që propozimi për të luftuar korrupsionin vinte “nga kryeministri më i korruptuar i qeverisë më të korruptuar”.

Po ashtu Ilir Meta, që drejton Partinë e Lirisë, një parti aleate me “Rithemelimin” i shpreh se Rama nuk ka besueshmëri për reforma anti-korrupsion.

Skepticizëm për nismën ka shfaqur dhe deputetja Jorida Tabaku e cila drejton Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, një strukturë parlamentare gjithpërfshirëse, të cilën, ajo mendon se do ta mbivendosë komisioni ad-hoc që pritet të ngrihet.

Ajo tha të premten se opozita e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe integrimin, por se nuk sheh të njëjtin seriozitet nga mazhoranca.

Tabaku kishte njoftuar mbledhjen e këtij këshilli, por e quajti të dështuar atë pasi vetëm një deputet nga mazhoranca ishte i pranishëm duke mos arritur kourumin e nevojshëm.

“Bojkoti i sotëm është zhgënjyes. Pasi ne mund të ndahemi për shumë tema por për asnjë moment nuk kam menduar që mund të ndahemi për çështjen e integrimit”- tha ajo.

Por, nënkryetari i këtij këshilli nga PS-ja, Toni Gogu, e justifikoi mungesën e kolegëve me ditën e papërshtatshme të javës të caktuar për mbledhjen për shkak të axhendës së tyre si deputetë në zonat e tyre elektorale.

“Kjo është javë e gjelbër dhe është detyrim për ne të zgjedhurit që në bazë të rregullores së kuvendit të jemi me votuesit tanë”, sugjeroi Gogu.

Socialistët pretendojnë se rezoluta e tyre është mekanizëm që ka dalë pikërisht nga procesi ‘Screening’ për integrimin europian dhe do të adresojë luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen, ndërsa kritikët e nismës e shohin atë si një rrezik për reformën në drejtësi.

Aktualisht pranë Komisionit të Ligjeve është në fuqi një grup pune i ngritur për këtë qëllim që ka hartuar një sërë propozimesh për ligjet bazë të drejtësisë, ndryshime që kanë marrë kritika nga ekspertët e misioneve ligjore të BE-së dhe SHBA-së

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat