Kuçova vlerëson Bashkim Finon, Çuçi: Mik i pazëvendësueshëm, i paharruar me një vend nderi në çdo qytet të Shqipërisë

Shqipëria

Kuçova vlerëson Bashkim Finon, Çuçi: Mik i pazëvendësueshëm, i paharruar me një vend nderi në çdo qytet të Shqipërisë

Më: 24 maj 2024 Në ora: 22:58
Foto nga vendi i ngjarjes

Ish-kryeministri Bashkim Fino është vlerësuar sot me titullin “Qytetar Nderi” i Kuçovës, qytet ku ai ishte edhe deputet për shumë vite.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm shumë miq e bashkëpunëtorë të tij ndër vite. Mes tyre dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi. Teksa publikon disa foto nga ceremonia, Çuçi shkruan ndër të tjera se për kaq shumë sa ka dhënë e ka bërë përgjatë karrierës së tij, Bashkim Fino të jetë gjithmonë i paharruar e me një vend nderi në çdo qytet të Shqipërisë.

Mesazhi i plotë i Çuçit:

“Sot në Kuçovë për të kujtuar e nderuar mikun tonë të pazëvendësueshëm e deputetin e kësaj zone për më shumë së një dekadë, Bashkim Fino. Titulli “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) është një vlerësim për të dhe familjen e tij, për kontributin e çmuar që ai ka dhënë si shtetar dhe figurë e spikatur në politikën shqiptare. Unë kam shumë kujtime me Bashkimin aq sa nuk i rendis dot të gjitha qoftë në një ceremoni si kjo e sotmja apo në këto radhë të shkruara këtu. Falënderues për anëtarët e Këshillit Bashkiak të Kuçovës që dhanë këtë vlerësim. Bashkimi për aq shumë sa ka dhënë e ka bërë për vendin, sidomos në një moment kritik si viti i mbrapshtë ‘97, do të jetë gjithmonë i paharruar e me një vend nderi në çdo qytet të Shqipërisë”, thotë Çuçi.

Në ceremoninë e organizuar sot në Kuçovë merrnin pjesë gjithashtu ish-ministrat Arta Dade, Arben Malaj, ish-kryetari i Kuvendit, Namik Dokle, vajza Megi Fino, familjarë e miq të tjerë të ish-kryeministrit të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat