I dënuar me 4 vjet burg, Gjykata italiane vendos ekstradimin e Pecorellit drejt Shqipërisë

Shqipëria

I dënuar me 4 vjet burg, Gjykata italiane vendos ekstradimin e Pecorellit drejt Shqipërisë

Më: 24 maj 2024 Në ora: 23:15
I dënuar me 4 vjet burg, Gjykata italiane vendos ekstradimin e Pecorellit drejt Shqipërisë

Davide Pecorelli do të ekstradohet nga Italia drejt Shqipërisë. Kjo të paktën sipas vendimit të Gjykatës së Apelit në Perugia, që i ka hapur dritën jeshile ekstradimit të Pecorellit, 49 vjeç, i cili është dënuar nga Gjykata e Pukës me 4 vjet heqje lirie.

Pecorelli inskenoi vdekjen e tij në janar të 2021. Makina e tij u gjet e shkrumbuar në fshatin Gjegjan dhe brenda saj u gjetën edhe eshtra njerëzore, duke bërë fillimisht që të mendohej se i përkisnin pikërisht 49-vjeçarit. Por disa muaj më vonë ai u shfaq në Itali. Ai u shpëtua në det, teksa lundronte me një varkë të vogël.

E kur zbriti në tokë, u përball me urdhërarrestin e lëshuar nga gjykata shqiptare, më 2 tetor të 2022. Nga autoritetet shqiptare ai akuzohej për mashtrim, dhunim të varreve, shkatërrim prone me zjarr, kalim të jashtëligjshëm të kufirit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Akuza e fundit ra, ndërsa për akuzat e tjera Pecorelli, i cili përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, u dënua në prill të këtij viti me 4 vjet burg nga Gjykata e Pukës.

Me origjinë nga San Giustino, sipërmarrësi në sektorin e produkteve të bukurisë dhe ish-arbitër, ishte vendosur në vendin tonë, aty ku fillimisht u mendua se ishte karbonizuar.

Më pas u rishfaq në Itali, në ujërat e detit Tirreno. Tregoi një histori si nëpër libra, duke thënë se kishte qenë në kërkim të një thesari. Në fakt, sipas asaj që doli në hetimet e autoriteteve shqiptare, në Janar të 2024-s, i vuri flakën makinës që kishte marrë me qira në Shqipëri dhe brenda saj vendosi eshtra për të simuluar vdekjen e tij.

E gjithë ngjarja u inskenua për shkak të borxheve, të cilat e çuan të ndërmerrte këto veprime. Për këto vepra ai u vendos në arrest provizor në Itali. Shqipëria kërkoi ekstradimin e tij që prej 2022. E teksa drejtësia shqiptare foli në muajin Prill, këtë të premte ishte radha e asaj italiane.

Avokatët e Pecorelli-t, i cili është baba i 4 fëmijëve, njoftuan se do ta ankimojnë vendimin e Gjykatës së Apelit për ta ekstraduar 49-vjeçarin drejt vendit tonë, me argumentin se dënimi i dhënë për të është në proporcion të zhdrejtë me akuzat e ngritura. Ata po ashtu mësohet se kanë kërkuar një vlerësim të kushteve të institucionit të vuajtjes së dënimit ku do të transferohet klienti i tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat