Eksportet shqiptare rriten në Prill! 1.8 % më shumë krahasuar me një vit më parë, 350 milionë euro, cilat ishin grupet kryesore që ndikuan

Shqipëria

Eksportet shqiptare rriten në Prill! 1.8 % më shumë krahasuar me një vit më parë, 350 milionë euro, cilat ishin grupet kryesore që ndikuan

Më: 25 maj 2024 Në ora: 15:34
Foto ilustrim

Gjatë prillit eksportet e mallrave njohën një trend pozitiv, pas gati një viti tkurrje.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se vendi eksportoi 35 miliardë lekë gjatë prillit rritje me 1.8% në krahasim me një vit më parë.

Sipas INSTAT grupet kryesore që ndikuan në rritjen e eksporteve ishin produktet bujqësore si dhe mineralet dhe lëndët djegëse. Për ekspertët efekti i këtyre dy grupeve pritet të jetë vetëm sezonal.

“Këto janë të lidhura me pjesën sezonale, sepse eksportet agrobujqësore do të kenë kërkesë të shtuar në sezonin veror sa i përket hyrjeve dhe kjo është logjike, por nga ana tjetër ata që kanë kontrata të lidhura me eksportin do të vijojnë, ndërsa sektori energjetik dhe pjesa e minierave do të jetë e tillë që do të ketë atë vijueshmëri që në rastin e energjisë do të varet nga moti dhe në rastin e industrisë minerare ka një ritëm të caktuar dhe varet më shumë nga kërkesa në tregun aziatik”, tha Eduart Gjokutaj.

Ndërsa eksportet në vlerë totale u rritën, një nga grupet më të mëdha si tekstilet pësuan sërish tkurrje. Ekspertët janë të mendimit se eksportet shqiptare duhet t’i shtohet dhe vlera e përpunimit.

“Ka ardhur momenti që i ka arritur fundi i shfrytëzimit të fuqisë punëtore dhe do të mbijetojnë ato që do të krijojnë vlerë të shtuar të mbyllur dhe ajo që konsiderohet si cikël i mbyllur”, tha Gjokutaj.

Pas krizës së thellë që sektori fason po përjeton me zhvlerësimin e euros qeveria i ka ofruar ndihëm nëpërmjet një pakete të garancisë sovrane për ta përdorur me investime e reja teknologjike që nevojiten për të krijuar një cikël të mbyllur, si dhe ka ofruar ndihmë financiare për trajnimin dhe specializimin e mëtejshëm të punonjësve nëpërmjet krijimit të qendrave profesionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat