Media italiane i bëjnë jehonë takimit të Edi Ramës në Milano: Ngriti lart vlerat kombëtare të shqiptarëve

Shqipëria

Media italiane i bëjnë jehonë takimit të Edi Ramës në Milano: Ngriti lart vlerat kombëtare të shqiptarëve

Më: 27 maj 2024 Në ora: 10:30
Edi Rama

Media italiane ANSA i ka bërë jehonë takimit të kryeministrit Edi Rama me shqiptarët ditën e djeshme në Milano.

“Mbi 5 mijë shqiptarë morën pjesë në stadiumin Busto Arsizio (Varese) dhe gati 3 mijë të tjerë qëndruan jashtë, për të pritur kryeministrin Edi Rama i cili erdhi për të vlerësuar diasporën shqiptare në kuadër të një turi evropian, dedikuar promovimit të kulturës shqiptare dhe investimeve në tokën e Shqiponjave”, shkruan media italiane.

“Na duhej stadiumi San Siro”, tregon në skenë organizatori i eventit, Ylli Ujka, një sipërmarrës që erdhi me anije në vitin ’91 në Pulia, e sot jeton në Gallarate (Varese).

Pas hyrjes së tij, kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim që në fokus kishte krenarinë kombëtare. Ndër të tjera Rama vuri në pah paragjykimet që populli i tij emigrant duhej të vuante në Itali.

“Ishte shqiptar”, kjo ishte fjala që Rama përsëriti disa herë në italisht, për të kujtuar se si emigrantët shqiptarë shpesh u vunë në shënjestër të racizmit, madje edhe në media.

“Rama përmend edhe figurën e Umberto Bossit, i cili “me atë jelek dukej sikur kishte dalë nga filmat komikë dhe vite më pas erdhi në Shqipëri për të blerë diplomën e djalit të tij”.

Por më pas ai kujtoi se si qeveritë italiane janë kujdesur për Shqipërinë si askush tjetër, ku një ndër to ka qenë edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, të cilën Rama e vlerësoi si mike të vendit. Duke përmendur perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Rama tha: “Evropa më në fund të fillojë të kuptojë se së pari duhet të ribashkohet përmes urave të demokracisë dhe jo të zgjerohet me ritmin e breshkës përmes kanaleve të burokracisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat