Në zonën e Qafë Thores kanë filluar mbrëmjen e sotme reshjet e dëborës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se rruga është e hapur dhe mjetet borëpastruese janë në terren për të garantuar qarkullimin e sigurt të mjeteve.
Gjithashtu, kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci bën me dije se ekipet e mirëmbajtjes janë në gatishmëri për të ndërhyrë sipas nevojës dhe për ta mbajtur të kalueshme rrugën drejt Thethit.
ARRSH këshillon drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.
Njëjta situatë paraqitet edhe në segmentin rrugor Librazhd–Zgosht–Sebisht (Fushë Studen), ku kanë nisur reshjet e dëborës.
"Mjetet borëpastruese janë në terren dhe po punojnë për mbajtjen e rrugës të hapur dhe të kalueshme.
Qarkullimi vazhdon pa probleme! Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë", njofton ARRSH-ja.