Shtatë gjëra që duhet t’i dinë adoleshentët për rrjetet sociale

Sociale

Shtatë gjëra që duhet t’i dinë adoleshentët për rrjetet sociale

Lekë Imeraj Nga Lekë Imeraj Më 7 tetor 2022 Në ora: 08:11
Foto ilustrim

Rrjetet sociale, nuk janë më një perspektivë e së ardhmes, jo, ato janë brenda nesh, brenda mureve të çdo shtëpie, në krevatin e çdo adoleshenti. Shumica e adoleshentëve janë aktivë në rrjetet sociale. Madje, ata mendojnë se, që të jesh dikush, duhet të kesh smartfone dhe i lidhur në internet.

Shumë prindër mendojnë se, me blerjen e aparatit telefonik, e zgjidhën konfliktin me fëmijën e tyre.

Gabojnë. Pikërisht, nga momenti që fëmija fut në dorë aparatin, fillon konflikti i madh. Fëmija e di se ka një aparat të vetin në dorë por, asgjë më shumë, për të mirat dhe rrezikun e aparatit. Shumë fëmijë, mendojnë se i dinë të gjitha, përdorimin, të mirat dhe të këqiat e aparatit, gjë kjo që nuk është aspak e vërtetë.

Rrjetet sociale si TikTok, Instagram, Snapchat dhe Twitt, janë shumë të preferuara për adoleshentët, dhe si të tilla janë pjesë e programit ditor të tyre. Ata këmbejnë informacione dhe pëlqime mes tyre, pa u thelluar aspak në përmbajtjen e informacioneve, për burimin dhe përmbajtjen e tyre.

Një problem shqetësues tek adoleshentët është mendimi se, nëse nuk janë vazhdimisht në rrjetin social, humbasin diçka të rëndësishme. Kjo lloj frike quhet, FOMO (Fear Of Missing Out).

Shumë psikologë, vazhdimisht merren me studimin e përdorimit të telefonit të dorës nga adoleshentët, mbi mënyrën e përdorimit, vlerat dhe antivlerat, deri dhe rrezikun e tij. Kanë arritur në përfundimin se, adoleshentët e moshës 12-17 vjeç, harxhojnë shumë më tepër orë në rrjetet sociale se në shkollë dhe për detyrat e shtëpisë.

Mendimi i psikologut, për rastin konkret është se, problemi janë prindërit, jo fëmija, janë mësuesit, jo nxënësit. Prindërit dhe mësuesit, nga panjohuria mbi teknikën, por edhe për të shmangur konfliktet me fëmijët dhe nxënësit, i lënë të lirë, në fantazinë e tyre.

Çfarë rekomandojnë psikologët konkretisht, në përdorimin e telefonit të dorës, në rrjetet sociale?

1. Kujdes në postimet!

Problemi më serioz, në rrjetin social, është ruajtja e sferës private. Për këtë, adoleshentët duhet të tregohen shumë të kujdesshëm para se të postojnë diçka. Jo gjithçka lejohet. Foto dhe video private, intime, nuk duhet të postohen. Dikush tjetër mund t’i përdor për qellim të keq. Eshtë shumë i njohur presioni seksual nëpërmejt teknologjisë digjitale. Tjetri të vjen deri te dera e shtëpisë apo shkollës, dhe menjëherë mund të bëhesh viktimë.

2. Jo gjithçka që shfaqet në rrjetet sociale është e vërtetë.

Fake News (lajmet e rreme), janë pjesë e programit ditor në rrjetet sociale. Adoleshentët duhet të mësojnë që, shumë të dhëna dhe informacione në rrjetet sociale, janë false, të rreme. Edhe videot dhe fotot janë të manipuluara. Shumë prej tyre janë vetëm prodhim studiosh, pa asgjë të vërtetë. Në një video që duket moderne, apo në një foto të bukur, fshihet dikush krejt tjetër, ndoshta një kriminel. Kuptohet që adoleshentët nuk e kanë përvojën dhe pjekurinë e duhur për të dalluar gënjeshtrën dhe mashtrimin nga e vërteta, prandaj duhen ndihmuar.

3. Adoleshentët duhet të mësojnë se, vlera e tyre, nuk matet me çukitjet (pëlqimet, likes), në postimet që ata bëjnë.

Njëra ndër pikat më të dobëta tek adoleshentët, është mosbesimi dhe mosnjohja e vlerave të vetes. Një gjë të tillë ata duhet ta mësojnë, dhe atë shumë shpejt. Ata duhet të mësojnë që, vlera e tyre, nuk matet me numrin e pëlqimeve apo komenteve në rrjetet sociale, për gjërat që ata postojnë. Reagimet e të tjerëve, në shumë raste, shkaktojnë komplekse tek adoleshentët. Kjo i shtyn që, për të pasur sa më shumë çukitës dhe komentues, të bëjnë marrëzira, duke rrezikuar vetveten.

Bota virtuale ka të bëjë shumë pak, ose aspak me realitetin. Një studio-Johns Hopkins School of Medicine, ka arritur në konkluzionin se, në dhjetëvjeçarin e fundit, depresioni dhe ideja e vetëvrasjes tek adoleshentët, janë rritur shumë. Ata mendojnë se kjo dukuri, është pasojë e ndikimit të madh të rrjeteve sociale.

4. Ekrani i vogël i telefonit të dorës, është „hajduti“ më i rrezikshëm i kohës.

Shumë adoleshentë, lidhen aq shumë me ekranin e vogël të telefonit të dorës, sa harrojnë se ka dhe një jetë tjetër, jashtë atij ekrani „magjik“. Bëhen nervozë, agresivë, vuajnë nga anoreksia, nga pagjumësia, dhe harrojnë se janë nxënës. Shumë shpejt pajtohen me rezultatin shumë të dobët në shkollë. Ka nga ata që edhe e braktisin shkollën.

Në raste të tilla, fajtori duhet menduar prindi, fëmija është viktima. Fëmijës i duhet sqaruar koha e përdorimit të telefonit të dorës. Nëse nuk e kupton, duhet detyruar, edhe nëse kundërshton. Ndryshe, nuk bëhet.

5. Rrezikshmëria e garave dhe sfidave.

Në rrjetet sociale, zhvillohen shumë gara dhe sfida të rrezikshme. P. sh. mbajtja e frymëmarrjes deri në asfiksi; ushtrime të ndryshme me një shkallë të lartë rrezikshmërie për shendetin dhe jetën si, prova për vetvarje në litar, rouletta ruse (pistoletë me mulli), etj. Studiot kanë arritur në përfundimin se, shumë të rinj, nga gara të tilla janë demtuar fizikisht, dhe kanë gjetur edhe vdekjen. Fëmijët duhet të binden, që në asnjë rast të mos kryejnë gara me të tjerët, në internet.

6. Ekrani i vogël si mjet dhune.

Në rrjetet sociale, nëpërmjet ekranit të vogël, përhapet dhe ushtrohet shumë dhunë mbi tjetrin.

Kjo kryhet në forma të ndryshme. Njëra ndër to është presioni nga tjetri, për të publikuar fotot apo videot intime, presioni për të denoncuar për bisedat apo veprimet e përbashkëta intime. Dhe, shumë forma të tjera. Në raste të tilla, adoleshentët duhet të mësohen që t’i njoftojnë menjiherë prindërit e tyre dhe mësuesin në shkollë. Kjo arrihet vetëm nëse fëmija ka besim të plotë te prindi dhe mësuesi.

7. Pranimi i këshillave nga të rriturit.

Adoleshentët duhet ta dinë se, mund t’u luten të rriturve për ndihmë, dhe e marrin ndihmën e tyre. Kjo duhet menduar nga ata, për të gjitha rastet kur ndodhen në situata të vështira, me të tjerët, në rrjetet sociale. Me të „rritur", duhen menduar njerëzit e afërt, mundësisht prindërit dhe të afërm të tjerë, shumë të basuar. Kurrë me të panjohurit dhe njerëzit e rrugës, sado miqësorë që mund të tregohen ata.

Lekë Imeraj, shkrimtar, përkthyes, publicist

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat