Këngë të shumta sot kanë në përmbajtje të tekstit substancat narkotike, dhunën, trimërinë ndaj policisë e fenomene të tjera që nxisin në aksion kundërligjor.
Këto tekste, dhe përmbajtja e videoklipeve të këngëtarëve në Kosovë, sipas avokatit Berat Peci, po stimulojnë të rinjtë drejt kriminalitetit.
Ai, në Sytë 7 në Klan Kosova tha se, këto këngë po marrin shikueshmëri të madhe nga fëmijët, pa asnjë censurë, dhe si të tilla, nga përvoja e tij gjyqësore, ka parë që këto përmbajtje muzikore po rrisin kriminalitetin tek të miturit.
Peci, tek moderatori Enis Reçica, tha se kriminaliteti i fëmijëve po rritet edhe nga lojërat kompjuterike, të cilat zakonisht vendndodhjen e kanë në afërsi të shkollave. Ai përmendi se brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, janë mbi 600 vepra penale të shkaktuara nga të miturit.