​Qytetarët, të gatshëm të ndihmojnë familjet në nevojë

Sociale

​Qytetarët, të gatshëm të ndihmojnë familjet në nevojë

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 09:27
Foto ilustrim

Rreth 10 mijë familje në nevojë po ndihmohen brenda një viti nga Kryqi i Kuq i Kosovës. Qytetarë të komunave të ndryshme po tregojnë humanizmin e tyre në fatkeqësi të ndryshme natyrore, si vërshime e tërmete. Ata nuk kursejnë pothuajse asgjë që të arrijnë të bëjnë më të lehtë jetën e mijëra personave në vend që po jetojnë në varfëri.

Koordinatori në Kryqin e Kuq të Kosovës, Armend Shala thotë se gjatë këtij viti janë ndihmuar me qindra familje me rreth pesë mijë pako ushqimore. Ai shton se qytetarë e biznese po ndihmojnë me donacione të shumta, për tu dhuruar më pas për familjet në nevojë.

Shala: Këtë vit kemi dhuruar pesë mijë pako

“Fatmirësisht këtë vit kemi pasur raste të bizneseve të cilët kanë dhuruar për shembull komplet sezonin e të mbathurave ose atlete, këpuca dhe të tjera, ose rroba dhe gjësende të ndryshme. Këtë vit veç i kemi kaluar pesë mijë pako, të cilat ne i kemi ofruar nëpër raste specifike. Po ashtu na ka ra shumë që të ndihmojmë në pjesën e rasteve të vërshimeve kur ishin. Pamë shumë vullnetin e mirë të qytetarëve, të komunave të tjera të cilat nuk kanë qenë të prekura, ‘po shohim që komuna e Skenderaj, Vushtrrisë, Klinës dhe të tjera janë prekur nga vërshimet a ka nevojë të ndihmojmë diçka’. Shumë prej tyre kanë dhuruar qoftë rroba, qoftë pako ushqimore dhe të tjera, qoftë kompani të ndryshme kanë ofruar ujë, të cilat ne kemi dalë menjëherë në terren dhe i kemi dhuruar tek personat të cilët kanë qenë të prekur”, shprehet Shala.

Ai nuk specifikon komunat që kanë më së shumti nevojë për mbështetje, veçse shton se numri qëndron relativisht i njëjtë.

Shala: Rreth 10 mijë familje ndihmojmë gjatë vitit

“Nëse e shohim në nivel vendi, ne çdo vit diku rreth 10 mijë familje ndihmojmë. Mirëpo, shohim që trendi mbetet aty nuk ka ndonjë lëvizje që shumë ka ndikuar një situatë e caktuar. Përveç situatave specifike, fatkeqësive natyrore që normal që rritet nevoja për të ndihmuar në 48 orëshin e parë, apo 72 orët e para me pako higjienike apo ushqimore. Mirëpo si trend nga viti në vit e shohim që është pak a shumë e njëjta ajo numri i familjeve”, shton ai.

Ai mohon të ketë pasur hezitim të qytetarëve për ndihmë, pavarësisht perceptimit të krijuar se mund të keqpërdoren ndihmat e dhëna.

Shala: Donatorët vijnë me neve në terren për të parë se ku shkojnë ndihmat

“Tek ne si Kryq i Kuq i Kosovës nuk ka ndikuar, për arsye se ne preferojmë një metodë të cilën nëse një donator, qoftë biznes apo individ dëshiron të vije me neve në terren, ne gjithmonë ju ofrojmë atyre që me pa edhe ata vet, të vlerësojnë që ajo ndihmë që po ofron, çfarëdo qoftë, sado e vogël për nevojtarin do të thotë shumë, një ndihmesë shumë e madhe. Ne preferojmë që ata të vijnë bashkë me neve në terren edhe me pa që ajo ndihmë po i shkon drejtpërdrejt atij që ka nevojë edhe nuk po keqpërdoret nga raste të caktuara”, thekson a.

Armend Shala nga Kryqi i Kuq i Kosovës thotë se qytetarët e vendit janë të gatshëm të ndihmojnë familje në nevojë, e po ashtu edhe në raste të fatkeqësive.

Shala: Fatmirësisht vërejmë që ka një bamirësi tek njerëzit

“Vendi jonë, fatmirësisht vërejmë që ka një bamirësi tek njerëzit, një dukuri të bamirësisë tek njerëzit. Dhe nuk ka dallim shqiptarë ose të tjerë, ne e shohim tek të gjitha komunitetet të cilët janë bamirës. Dallojnë në raste specifike, normalisht kur i jepet jehonë rasteve, për shembull rasteve të tërmeteve, që është specifike. Atëherë gatishmëria për të ndihmuar është e madhe. Mirëpo, në raste normale apo kohë të qeta ne shohim që qytetarët e kanë njëfarë vullneti për të ndihmuar. Ne mundohemi si Kryq i Kuq i Kosovës të bëjmë njëlloj të sensibilizimit për me qenë sa më solidarë, sa më humanë, sa më bamirës, me i zgjat dorën njëri-tjetrit”, thotë Shala.

Përveç ndihmat për personat në nevojë, Shala tregon se janë duke punuar në projektin për kujdesin e personave të moshuar pa përkujdesje familjare.

Shala: Po ndihmojmë personat e moshuar pa përkujdesje familjare

“Një prej ndihmave që ne kemi ofruar e kemi atë projektin e kujdesit për të moshuarit pa përkujdesje familjare edhe vazhdojmë të ndihmojmë ata persona duke i vizituar, duke i marrë nevojat e tyre, duke rregulluar ambientin shtëpiak, qoftë pastrim, qoftë rregullim shtrati, ose ndërrimin e pjesës së shtretërve, sfungjerët apo rrobat, çkado që kanë nevojë ata dhe forma të tjera që si Kryq i Kuq kemi pasur mundësi”, përfundon ai.

Kryqi i Kuq i Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të ndihmojnë familjet në nevojë dhe të organizohen që ndihmat të mos shkojnë vetëm tek grupe të caktuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat