Shiti shtëpinë për t’u kujdesur për fëmijët me aftësi të kufizuara

Sociale

Shiti shtëpinë për t’u kujdesur për fëmijët me aftësi të kufizuara

Më: 12 nëntor 2023 Në ora: 12:17
Resmije Krasniqi

Resmije Krasniqi, kryetare e Shoqatës Humanitare “Hadër” në Prizren, ka mbi 20 vite që kujdeset për personat me aftësi të kufizuara. Aktualisht, Resmija tregon se ka nën përkujdesje 24 orëshe pesë persona. Për KosovaPress, ajo thekson sfidat dhe vështirësitë që ka hasur gjatë rrugëtimit të saj, si një nënë e një vajze 46 vjeçare me aftësi të veçanta. Nevoja për të hapur një shoqatë të tillë humanitare, e për tu bërë strehë e shumë personave të kësaj kategorie, detyroi Resmijen që ta shiste shtëpinë e trashëguar të vajzës së saj. Derisa flet për peripecitë që ka kaluar, “nëna” e dhjetëra fëmijëve, kërkon nga institucionet që të ndërmarrin hapa në përkrahjen e kësaj qendre.

Pavarësisht që këta persona nuk mund të flasin apo të shprehen, shumë punime artizanale prej druri, veshje kombëtare, korniza të ndryshme e shumë gjëra të tjera interesante punohen nga vetë duart e tyre. Krijime të tilla, për t’i ndihmuar kësaj shoqate në funksionim, bëjnë edhe nënat e këtyre fëmijëve.

Kjo është mënyra e mbijetesës së tyre, duke përfshirë edhe projektet në të cilat marrin pjesë.

Krasniqi: 24 orë kujdesemi për persona me aftësi të kufizuara

"Jemi nga Prizreni, jam Resmije Krasniqi, kryetare e Shoqatës 'Hadër' me persona të hendikepuar mendor. E kemi shoqatën humanitare 24 orë në Prizren dhe qëndrimin ditor...Shoqata 'Hadër' prej 99'ës, deri tash ekziston. 99-ën menjëherë pas lufte, i kemi marrë fëmijët rrugëve që kanë qenë qysh kanë mbetur disa pa prind, që i kemi 24 orë aty. E kemi ndërtua qendrën 24 orëshe, por edhe qendrën ditore. Është fjala që ato punimet e tyre me ato duart e holla artizanale, ata nuk dijë me fol e nuk dinë me u shpreh, por punimet i bëjnë vetë, me ndihën tonë dhe ndihmën e kujdestareve, ndihën e psikologes, e kemi stafin të mirë shumë aty...Secila ministri, nga një punëtor me ia pagua shoqatës, Ministria e Arsimit edukatore, Ministria e Shëndetësisë një infermier, Ministria e Kulturës një për kulturë ato çka i punojnë, ato artizanalet e bukura që janë, është kënaqësi të ndihmohet. Se vështirë është vetëm më projekte. Unë jam edhe nënë e fëmijës me të meta mentale, kam vajzën 46 vjeçare, ajo më ka detyruar ta bëjë këtë punë", thotë Krasniqi.

Resmija tregon se e ka shitur shtëpinë e vajzës së saj me nevoja të veçanta, që ia ka lënë pasuri gjyshi i saj, për të themeluar shoqatën “Hadër”. Ajo tutje i bënë thirrje qeverisë dhe të gjitha institucioneve që brenda mundësive, ta ndihmojnë këtë shoqatë, në mënyrë që t’ia dalin mbanë për t’iu përgjigjur kërkesave për qëndrim në këtë shoqatë.

Krasniqi: E kam shitur shtëpinë, për të themeluar shoqatën “Hadër”

"Vjehrri jem kur na ka lënë pasurinë neve, e kam shitur shtëpinë e vajzës sime, me të meta që e kam...U detyruam ta shesim shtëpinë ta mbajmë shoqatën. 99;-2003 vetëfinancim, 2003-2008 këto të huajt na kanë ndihmuar...Tash unë i kam pesë (persona) 24 orë, 205 anëtarë janë në shoqatë. 24 orë përpara i kam pas 17 (persona), pyete shpirtin tim qysh kam punuar. Tash i kam vetëm pesë, tash e kam edhe një që dy javë ka ardhur... Që të më dëgjon qeveria, i kisha lut kryeministrin dhe të gjithë ministrat që janë, që ekzistojnë në Kosovë, t'i ndihmojnë shoqatës tonë. Normal, se ne jemi OJQ, ndoshta nuk na takon, por me projekte shumë vështirë është duke u mbajtur”, thekson Krasniqi.

Ndër të tjera, Krasniqi potencon vetëm një ndër qindra raste, se si kujdeset për personat me aftësi të kufizuara. Ajo tregon situatën kur vëllai i një personi të kësaj kategorie, i ka kërkuar kryetares së shoqatës “Hadër”, që ta marrë nën përkujdesje motrën e vetë, ngase fqinjët janë ankuar për veprime të pa kontrolluara në objektin banesor.

Krasniqi: Kam fjet tri dite me një person me aftësi të veçanta, derisa është qetësuar

"Edhe një tash qe dy javë ka ardhur, janë ankuar të banesës aty në lagjen e 'Bajram Currit', erdh nusja e vëllait të vet, edhe vëllai i vet, 'zonja Resmie na kanë thënë se tek ju me sjellë se na kanë thirr policinë'. Ajo me të meta, nëna i ka vdekur, baba i ka vdekur, vetëm vëllain dhe nusen e vëllait, po na shqetëson banesën, krejt e kanë dërguar në polici. Unë u detyrova, shkova këqyra, ka qenë shumë agresive, por atë ditë që kam shkuar e kam marrë, e ka parë e mora drejtë e në shoqatë. Tash për tash, është super, po normal duhet mbikëqyrje. Kam fjet me të 3 ditë deri, se gjithë natën nuk ka fjetur me barna me gjëra", tregon Krasniqi.

Shoqata humanitare “Hadër” është themeluar menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë, me iniciativën e disa nënave të fëmijëve me aftësi të veçanta. Kjo organizatë angazhohet për mirëqenien e këtyre personave.

Ndër të tjera, qëllimi i formimit të kësaj shoqate ishte sensibilizimi i opinionit vendor e ndërkombëtarë mbi gjendjen e vështirë të personave me aftësi të kufizuara, mbrojtja, përkrahja dhe trajtimi psikofizik i tyre si dhe organizmi i kurseve te ndryshme me nënat dhe personat e kësaj kategorie.

Këtë e tregon edhe vetë Resmija në librin e saj “Kujtimi i nënës”, në të cilin ka shumë tregime e poezi , që përshkruajnë jetën e vështirë të këtyre personave.

Shoqata “Hadër” trajton në grupe 9-12 persona, rreth 40 persona në ditë dhe punon çdo ditë nga ora 08:00 deri në 17:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat