​81-vjeçarja në Shtëpinë e të Moshuarve: Edhe po të më lusin, nuk dal prej këtu

Sociale

​81-vjeçarja në Shtëpinë e të Moshuarve: Edhe po të më lusin, nuk dal prej këtu

Më: 3 janar 2024 Në ora: 13:52
Shejnaze Salihu

Fëmijë nuk pati, e burri i vdiq, ndërkaq i duhej dikush të kujdesej për të. Tash e 11 vjet, Shtëpia e personave të moshuar dhe pa përkujdesje familjare u bë familja e re e 81-vjeçares, Shejnaze Salihu.

Ani pse ka motrat që mund të kujdesen për të, ajo thotë se nuk dëshiron t’i bëhet barrë askujt, derisa shprehet se edhe po t’i kërkohet të dalë prej aty, nuk do ta lë vendin ku po qëndron tash e një dekadë.

Salihu tregon se në fillim e kishte të vështirë të adaptohej, por shoqëria, kujdesi e gjithçka tjetër, e ndihmoi që ta tejkalonte këtë periudhë.

Ajo thotë se ka vizita të shpeshta nga motrat e nipat, derisa shton se vitin 2024 e ka ndërmend ta presë bashkë me 57 personat e tjerë në Shtëpinë e të moshuarve.

Ndërkaq, Salihu shprehet e emocionuar derisa tregon se përgjatë këtyre 11 vjetëve ka pritur dhe ka përcjellë shumë të moshuar.

Salihu: Edhe të më thonë dhe të më marrin dikush më, nuk shkoj

"Këtu kam ardhur që 11 vjet...Burri më vdiq, fëmijë nuk kam, më duhet mbikëqyrja, për shkak të mbikëqyrjes, kam vendosur të vij këtu. Kur kam ardhur, pak, më ka ardhur vështirë deri jam adaptuar, tash edhe të më thonë dhe të më marrë dikush, më nuk shkoj. Jam adaptuar, mirë jam. Jemi tre motra. (Ato) Vijnë e më vizitojnë, djemtë e vëllait vijnë të më marrin...Motra që është mjeke, nuk kam dashur t'i bëhem brengë askujt, se vetë është e sëmurë. Kur ka ardhur, se nuk i kam treguar, sapo erdhi prej punës i ka thënë burrit, eja të shkojmë ta shohim. Kur ka hyrë në derë, i ka parë disa të paralizuar, ishte ‘kanë mbytur’ duke qarë... Të gjitha jemi shoqe, mirë... A ka pasur ndonjë rast që të ka vdekur ndonjë shoqe sa ke qenë këtu? Po, më është dhimbsur shumë, kanë vdekur shumë se jo pak qe 11 vjet që kam ardhur. Ne jemi të vjetër, duhet të pajtohemi me pleqërinë, më sëmundje e gjithçka... Shefin e kemi shumë të mirë, vijnë na vizitojnë a jeni zgjuar, a keni fjetur, as fëmija nuk ta thotë. Nuk vijnë me ta hapë derën e me të thënë. Unë nuk kam fëmijë, ama po thonë, kush ka... Kam qenë në deti katër herë sivjet, një herë 20 ditë, pastaj 10 ditë, pastaj prapë kemi qenë”, thotë Salihu.

Ndërkaq, Islam Kuleta dhe bashkëshortja e tij, po i bëjnë tri vjet prej kur u bënë pjesë e familjes së madhe në Shtëpinë e të Moshuarve. Pasioni i Islam Kuletës për të punuar tokën dhe për të kultivuar perime, bëri që oborri i kësaj shtëpie të shndërrohej në një tokë pjellore, me plot fryte.

73-vjeçari tregon se ka mbjell rreth 400 saksi me perime të ndryshme, për çka thotë se mezi pret të vjelë frytet e tyre. Pavarësisht se nuk ankohet për kushtet brenda shtëpisë, Kuleta thotë se nuk është mësuar me këtë mënyrë të jetesës.

Kuleta: I kam mbjellë rreth 400 saksi me perime

"73 vjet i bëra. Unë qe 50 vjet jetoj në Prishtinë, prej 73-ës. Për herë e kam pasur shtëpinë te Medreseja, rruga prej veriut. Aty kam jetuar diku 20 vjet. Pastaj kam punuar në Fakultet Ekonomik një kohë. Më pas e kam marrë një banesë te Radio Televizioni. Kanë qenë disa baraka të vjetra, por vendi ka qenë i përshtatshëm. 35 vjet kam qëndruar aty. Erdhi hesapi që ato të prishen për parkingje të veturave. Na hoqën prej aty, por ma lëshoi komuna fletëpagesën për qira, derisa të bëhet një zgjidhje. Shkova në ‘Velani’, ku qëndrova dy vjet, ndërkohë u morën vesh më bashkësinë lokale. I kam pasur rrethanat e mira. Më thotë a dëshiron të shkosh te Shtëpia e Pleqve për një kohë të caktuar me një kontratë për dy vjet... Nuk e di i thashë, një milion herë kam kaluar andej, kurrë nuk e di se çfarë ka brenda, e di që ka njerëz, çfarë kushtesh janë, nuk e di... Bisedova me gruan, ajo më tha a e ke parë? Çka munda të shoh ishte qetësi dhe mirë... Emrin e ka pak të rëndë, për mua nuk mjafton, po e them realitetin. Unë jam mësuar ndryshe krejt, e këtu ndryshe krejt... Kopshtin e kam këtu, kishte qenë me thera shumë, kiamet... E pastrova, e bëra kështu, mbolla qepë e spinaq, sallata, s’e ka pasur llastikun brenda. Kam mbjell rreth 400 saksi, kanë mbirë, komuna e solli llastikun", thotë Kuleta.

Ajo që i mungon Islam Kuletës janë njerëzit e afërt, për çka thotë se është mësuar ta vizitojnë mysafirët dhe të rrinë së bashku sa të duan, por aty është koha e kufizuar.

Ndërkaq, drejtoresha e Shtëpisë së personave të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, Raza Aliçkaj thotë se aktualisht janë 58 persona nën përkujdesje, 37 prej tyre gra. Ajo potencon se gjatë këtij viti kanë vdekur 6 persona, ndërsa janë pranuar dy persona të tjerë.

Aliçkaj thotë se organizohen aktivitete brenda institucionit, të cilat përfshijnë lojëra të ndryshme, si shah, domino, terapi e punës e të tjera.

Ndër të tjera, Aliçkaj tregon se numri i stafit të punës është 52, derisa thotë se shërbimet në këtë shtëpi janë 24-orëshe.

Ajo shton se kujdesin ndaj të moshuarve e bëjnë me dëshirë dhe dashuri, për çka thotë se po e bëjnë maksimumin.

Aliqkaj: Shtëpia e personave të moshuar aktualisht ka 58 persona

"Shtëpia e personave të moshuar dhe pa përkujdesje familjare aktualisht i ka 58 rezidentë. Prej tyre, 37 janë femra dhe 21 meshkuj...Këtë vit janë pranuar dy rezidentë, njëri ka bërë bashkim familjar. Kanë vdekur gjashtë rezidentë. Kështu që ky është numri aktual. Një rast e kemi në pritje për vendosje. Shërbimet që i ofrojmë janë 24-orëshe, duke i përfshirë të gjitha, duke filluar nga administrata, shërbimi shëndetësor, shërbimin e kuzhinës, teknik, social...Realizojmë edhe aktivitete brenda institucionit. Shërbimi social merret me aktivitete ditore, kemi klubin e rezidentëve ku luajnë shah, domino, lojëra të ndryshme. Pastaj është terapia e punës. Aty bëjnë më shumë punëdore, lexojnë, shikojnë televizion, bashkëbisedojnë... Staf për momentin jemi 52, dukemi staf shumë, por nuk jemi për arsye se duhet shërbimet 24 orë t'i ofrojmë...E japim maksimumin, punën e bëjmë me dashuri, me qejf, sepse këtu nuk është vetëm një punë sa për ta marrë një pagë, është një punë që kërkoj në vazhdimësi të japësh prej vetës më tepër", potencon Aliçkaj.

Ndërkaq, për festat e fundvitit, në Shtëpinë e të moshuarve u organizua një aheng, ku të moshuarit u argëtuan duke dëgjuar tingujt e çiftelisë e këngë live, derisa rrokën vallen me njëri-tjetrin.

Ndryshe, kërkesat për t’u vendosur në këtë institucion bëhen përmes Qendrave për Punë Sociale, që gjenden në të gjitha komunat e Kosovës.

Kriteret për t’u vendosur në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, sipas një udhëzimi administrativ, janë që personi të jetë të paktën 65-vjeç, të mos ketë pasardhës, të jetë në gjendje të mirë psikike dhe të mos ketë sëmundje infektive. Gjithashtu, vendosja në këtë qendër lejohet edhe nëse i moshuari ka vajzë, që është e martuar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat