Ambasada Franceze prezanton eventin

Sporti

Ambasada Franceze prezanton eventin

Më: 17 prill 2024 Në ora: 20:59
Pamje

Për herë të parë gjatë këtij shekulli, Franca do të presë Lojërat Olimpike “Paris 2024”, të cilat do të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht 2024, ndërsa Lojërat Paralimpike nga 28 gushti deri më 8 shtator.

Sot, një ditë pas ndezjes së flakës Olimpike, pra 99 ditë para fillimit të Olimpiadës, Ambasada Franceze në Shqipëri organizoi një konferencë shtypi për të nënvizuar aspektet kryesore të kësaj ngjarjeje të madhe sportive. Lojërat do të jenë një festë jo vetëm në Francë, por në të gjithë botën.

Së bashku, Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike do të mbledhin 15,000 atletë që presin të garojnë në 32 disiplina të ndryshme sportive. Do të jetë eventi më i madh sportiv i organizuar ndonjëherë në Francë.

Mbi 4,500 medalje do të jepen gjatë kësaj ngjarje sportive globale, e cila do të presë 203 delegacione, si dhe 120 kryetarë qeverish shtetesh. Ceremonia e hapjes do të zhvillohet jashtë me një paradë 6 kilometrash përgjatë Lumit të Senës, duke lejuar kështu këdo në Paris të shohë një ngjarje unike dhe lëvizëse që celebron magjinë e Lojërave. Nëpërmjet Olimpiadës Franca synon gjithashtu të lërë një trashëgimi të fortë, materiale dhe jo-materiale.

“Paris 2024” do të përfshijnë transformime të mëdha urbane, me fokus në qëndrueshmërinë dhe gjithë përfshirjen. Këto lojëra do të jenë më eko-përgjegjshmet e organizuara ndonjëherë në histori, me gjurmën e karbonit të përgjysmuar në krahasim me edicionet e mëparshme dhe me një fokus të veçantë në ndikimin mjedisor. Lojërat Olimpikë të Parisit do të jenë edhe një mundësi për të mbështetur çështjet sociale, duke promovuar barazinë dhe gjithë përfshirjen. Për herë të parë, garat do të kenë një barazi të plotë midis meshkujve dhe femrave, ndërsa do të ketë lehtësira aksesi për të gjithë vizitorët.

Me anë të Lojërave Olimpike, gjithashtu synohet të promovohen vlerat e sportit si një mjet për integrim, përfshirje dhe mirëqenie, veçanërisht mes të rinjve dhe në shkolla. Përveç prezantimit të evenimentit, ambasadorja e Ambasadës Franceze në Shqipëri, Znj. Catherine Suard, shprehu edhe një urim të veçantë për sportistët e Shqipërisë, pjesëmarrës në “Paris 2024”: “Uroj një edicion të ndritshëm dhe të suksesshëm të Lojërave Olimpike, si dhe fat të gjithë sportistëve në garë. Kam një urim të veçantë për sportistët dhe sportistet e Shqipërisë që po përgatiten për këtë garë unike. I uroj suksese ekipit shqiptar dhe shpresoj të marrin medaljet e para olimpike”, deklaroi ndër të tjera Catherine Suard.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat