“Është ndërhyrje e shtetit në sport”, kritikohet ashpër drafti i Projektligjit për Sport

Sporti

“Është ndërhyrje e shtetit në sport”, kritikohet ashpër drafti i Projektligjit për Sport

Më: 24 prill 2024 Në ora: 17:26
Foto nga takimi

Përfaqësuesit e federatave sportive në Kosovë kanë kritikuar ashpër draftin e Projektligjit të ri për Sport i cili është hartuar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Derisa zëvendësministrja e Ministrisë së Sportit Daulina Osmani paraqiti disa nga risitë që sjellë në sport ky projektligj siç janë kompensimi i sportistëve që kanë kontribuar në kohën e okupimit serb, pastaj përkrahja e agjentëve të sportit por edhe mënyrën e bashkëpunimit me komunat për përmirësimin e infrastrukturës sportive, e po ashtu edhe krijimin e kanaleve të reja për financimin e federatave, në lidhje me përmbajtjen e ligjit pati vërejtje të mëdha nga disa nga përfaqësuesit e federatave sportive.

Përfaqësuesi i Federatës së Lundrimit, Shasivar Haxhija ka thënë se me këtë projektligj po synohet ndërhyrja direkte në federatat sportive. Ai ka bërë të ditur se në disa prej neneve të ligjit përkatës krijohet hapësirë për një kontroll të ashpër të ministrisë mbi sportin.

Haxhijaj: Draftligji ka shumë mangësi, humb pavarësinë e sportit

“Ky ligj për sport duhet të jetë shumë më i avancuar se sa ligjet që kanë qenë deri më tani. Ky draftligj i ka disa përparësi edhe i ka disa të mira që për herë të parë vijnë në legjislacionin e sportit të Kosovës, mirëpo konsideroj që ky draftligj ka aq shumë të meta dhe defekta sa që nëse ashtu siç është sot miratohet nga Kuvendi i Kosovës, e rrezikon në masën më të madhe pavarësinë dhe autonominë e federatave dhe klubeve sportive kur e kemi parasysh që liria e asocimit është e garantuar me kushtetutë...(16:37...)Konsideroj që janë një numër i konsiderueshëm i neneve që duhet patjetër të diskutohen, duhet të hidhet dritë mbi to edhe duhet të ndryshohet, në të kundërtën nëse ato nuk ndryshohen, sporti definitivisht e humb autonominë e vet, sporti nuk ka më pavarësi, por në një far forme shtetëzohet komplet sporti ose shndërrohet sikur të jetë departament ose institucionet të Ministrisë së Kulturës”, theksoi ai.

Haxhijaj ka shtuar se nga ky ligj do të ndikohet edhe Komitetit Olimpik i Kosovës. Sipas tij, me marrjen e kompetencave për kategorizimin e sporteve por edhe ndërhyrje në kompetenca të tjera do të dobësohet tej mase roli i KOK ut kur dihet se ky institucion sportiv është krejtësisht i pavarur nga shteti.

Haxhijaj: MKRS po ia merr kompetencat KOK-ut

“Komiteti Olimpik i Kosovës është institucioni më i lartë sportiv jo-qeveritar në Kosovës, pra Ministria e Sportit është nga pjesa qeveritare, Komiteti Olimpik është institucioni më i lartë sportiv jo-qeveritar. Me këtë ligj komplet kompetencat i merren Komitetit Olimpik të Kosovës

Kritika pati edhe Taulant Hodaj nga Federata e Futbollit. Ai ka kërkuar që në ligjin e ri të mos lejohen kompetenca ekzekutive për Ministrinë e Sportit në federata pasi që kjo mund të sjellë pasoja direkte, sidomos në sportin e futbollit kur dihet se FIFA dhe UEFA i mbrojnë fuqishëm anëtarët e tyre nga ndikimet e qeverisë.

Hodaj ka shtuar se ky projektligj parasheh që trajnerët e rinj të kenë të kryer Fakultetim e Edukimit, gjë e cila, sipas tij, është e gabuar dhe një praktikë e cila nuk aplikohet në asnjë shtet sepse trajner i mirë, siç ka thënë ai, mund të bëhet edhe një mjek.

Hodaj: Të ruhet pavarësia e organizatave sportive

“Organizatat Ndërkombëtare sportive janë shumë të ndjeshme në pavarësinë e anëtarëve të vet, konkretisht federatave përkatëse që mos të ketë ndërhyrje të autoriteteve publike në pavarësinë e organizatave sportive dhe mendoj që disa nene në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë dhe ndikimeve që ka Agjencia për Sport dhe Inspektorati mendoj që lë për të dëshiruar dhe potencialisht nesër, pasnesër mund të krijohet një konflikt që mund të konsiderohet ndërhyrje dhe të pezullohet aktiviteti i një federate sportive nga vet organizata amë sportive, mos të pritet ministria”, tha Hodaj.

Ndryshe, më herët gjatë së mërkurës, Ministria e Sportit ka zhvilluar diskutime për këtë projektligj edhe me drejtoritë për sport të komunave të Kosovës, por aty morën pjesë vetëm tri komuna, ajo e Gjakovës, Drenasit dhe Dragashit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat