Sam Altman rikthehet në bordin e drejtorëve të OpenAl

Teknologji

Sam Altman rikthehet në bordin e drejtorëve të OpenAl

Më: 12 mars 2024 Në ora: 08:50
Sam Altman

Shefi ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi i OpenAl, Sam Altman, është rikthyer në bordin e drejtorëve të kompanisë pas një hetimi të jashtëm për trazirat që dërguan në largimin e tij nga puna.

OpenAl tha se hetimi nga kompania ligjore WilmerHale, ka arritur në përfundimin se largimi i Altman ka qenë si pasojë e “prishjes së marrëdhënieve dhe humbjes së besimit” midis tij dhe bordit të mëparshëm.

Për më shumë se tre muaj, OpenAl ka zbuluar copëza nga ajo se çfarë e shtyu bordin ta largonte Altman, shkruan the Guardian.

Në një deklaratë në atë kohë, bordi e akuzonte Altman se nuk ishte “i sinqertë në komunikimet e tij”.

Por, më pak se një javë më vonë, ai u rikthye në pozitën e CEO-së pasi shumë anëtarë të kompanisë kërcënuan të jepnin dorëheqje nëse ai nuk kthehej, duke përfshirë kryetarin e bordit, Greg Brockman.

Bëhet e ditur se përveç Altman, tashmë bordit i janë shtuar edhe tre gra: Sue Desmond-Hellman, Nicole Seligman, dhe Fidji Simo.

Këto veprime janë pjesë e përpjekjeve të kompanisë për t’u treguar klientëve dhe investitorëve se po përpiqen t’i kalojnë problemet e brendshme që pothuajse e shkatërruan atë vitin e kaluar.

Bëhet e ditur se pjesa më e madhe e konflikteve të OpenAl janë të rrënjosura në strukturën e saj të pazakontë të qeverisjes.

E themeluar si organizatë jofitimprurëse e cila ndihmon njerëzimin, tani është një biznes i madh me rritje të shpejtë.

Por me sa duket kompania ka ende probleme me të cilat duhet të përballet, duke përfshirë një padi të ngritur nga miliarderi Elon Musk, i cili vite më parë ndihmoi në financimin e OpenAl.

Musk pretendon se kompania po e tradhëton misionin e saj themelues në ndjekje të fitimeve.

Gjithashtu, OpenAl është paditur edhe nga një sërë mediash duke përfshirë New York Times, Intercept, AlertNet, dhe Raw Story, mbi akuzat se produktet e tyre gjeneruese me Inteligjencë Artificiale (Al) kanë shkelur ligjet e të drejtave të autorit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat