SpaceX e Elon Musk po ndërton një rrjet satelitor spiun për inteligjencën amerikane

Teknologji

SpaceX e Elon Musk po ndërton një rrjet satelitor spiun për inteligjencën amerikane

Më: 17 mars 2024 Në ora: 12:36
Foto ilustrim

SpaceX po ndërton një rrjet prej qindra satelitësh spiun sipas një kontrate me një agjenci të inteligjencës amerikane, duke demonstruar kështu thellimin e lidhjeve midis kompanisë hapësinore dhe agjencive të sigurisë kombëtare.

Bëhet e ditur se rrjeti po ndërtohet nga njësia Starshield e SpaceX sipas një kontrate 1.8 miliardë dollarëshe të nënshkruar në vitin 2021 me Zyrën Kombëtare të Zbulimit (NRO), një agjenci inteligjence e cila menaxhon satelitët spiun.

Këto plane tregojnë shtrirjen e kompanisë së Elon Musk në inteligjencën dhe projektet ushtarake të SHBA-së dhe ilustrojnë një investim më të thellë të Pentagonit në sistemet satelitore, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Nëse ky rrjet do të jetë i suksesshëm, programi do të avancojë dukshëm aftësitë e qeverisë dhe ushtrisë amerikane për të zbuluar objektiva të mundshme pothuajse kudo në glob.

Megjithatë, ende nuk dihet se kur rrjeti i satelitëve do të vihet në funksion dhe se cilat kompani tjera janë pjesë e këtij programi.

Kjo pasi SpaceX si operatori më i madh satelitor në botë nuk ka dhënë detaje në lidhje me marrëveshjen.

Ajo që dihet është se satelitët do mund të gjurmojnë objektiva në terren dhe ato të dhëna do t’i ndajnë me inteligjencën dhe zyrtarët ushtarak të SHBA-së.

Në parim, kjo do t’i mundësojë qeverisë amerikane të kap shpejt imazhe të vazhdueshme të aktiviteteve në terren pothuajse kudo në glob, duke ndihmuar kështu inteligjencën e vendit dhe operacionet ushtarake.

Ndryshe, Pentagoni është një prej klientëve më të mëdhenj të SpaceX pasi përdor raketat Falcon 9 për të nisur ngarkesa ushtarake në hapësirë.

Rrjeti i planifikuar Starshield do të jetë i ndarë nga Starlink i cili ka rreth 5,500 satelitë në hapësirë për të ofruar internet, dhe thuhet të jetë pjesë e konkurrencës së intensifikuar midis SHBA-së dhe rivalëve të saj për t’u bërë fuqia dominuese në hapësirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat