Alcaraz synon të fitojë më shumë Grand Slam

Tenis

Alcaraz synon të fitojë më shumë Grand Slam

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 14:38
Alcaraz

Mentaliteti i Carlos Alcaraz është ai i kampionëve të mëdhenj.

Urrejtja e tij për humbjen dhe dëshira e tij për t’u bërë më i miri në histori janë ndoshta dy faktorët kryesorë që e lejuan atë të arrijë rezultate të tilla në një kohë kaq të shkurtër.

Tenisti spanjoll ka fituar tashmë dy turne grand slam (US Open-2022 dhe Wimbledon-2023). Ai u bë tenisti më i ri në moshë që bëhet numri 1 në botë, ndaj dëshiron të jetë më i miri ndonjëherë. Alcaraz synon të fitojë më shumë grand slam se Novak Gjokoviq, që mban rekordin e 24 të tillëve.

“Vazhdoj të mendoj për 24 grand slam që ka fituar Gjokoviq.

Besoj se për momentin ai dhe Jannik Sinner janë dy rivalët më të vështirë për t’u mposhtur.

Ata po shprehin një nivel shumë të lartë dhe janë të paktë lojtarët që mund t’i mposhtin, por unë jam një djalë ambicioz dhe ëndërroj shumë”, tha Alcaraz.

“24 titujt e Gjokoviq përfaqësojnë një objektiv që dua ta arrij në fund të karrierës sime.

Duhet të presim dhe të shohim se në çfarë pozicioni do të kem pas disa vitesh, por është e pashmangshme të mos mendoj për këtë”, zbuloi Alcaraz, që ndodhet në turne në Amerikën Latine.

“Unë jam shumë konkurrues dhe kjo është ajo që më shtyn në nivelet më të larta, që të përpiqem të jem në të njëjtin nivel me “Big Three”. E vërteta është se unë ëndërroj shumë dhe dua të jem më i miri në histori”, tha 20-vjeçari Carlos Alcaraz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat