Nadal i paqartë për rikthimin

Tenis

Nadal i paqartë për rikthimin

Më: 5 prill 2024 Në ora: 12:50
Nadal

Ende ka një shqetësim të madh për gjendjen fizike të Rafael Nadal, i cili rrezikon të mos marrë pjesë në disa nga turnetë kryesore në fushat me dhè. 37-vjeçari spanjoll nuk ka luajtur që nga janari kur u mposht në çerekfinalet e turneut në Brisbane dhe sot konfirmoi tërheqjen nga turneu i Montekarlo, që nis ditën e diel.

Që nga janari, ai e ka shtyrë disa herë rikthimin e tij, ndër të cilat spikat tërheqja nga turneu Masters i Indian Ëells. Në turneun amerikan, Nadal u tërhoq pak orë para se të debutonte kundër kanadezit Milos Raonic. Në javët e fundit, tenisti nga Majorka ka raportuar progresin e tij dita-ditës në rrjetet sociale.

Megjithatë, që nga 23 marsi Nadal duket se është zhdukur, duke lënë në hije fansat e tij, duke shtuar misteret për gjendjen e tij shëndetësore. Nga Spanja, mediat thonë se kampioni iberik ka ende probleme, sidomos me shpinën dhe barkun. Kjo i krijon atij vështirësi të mëdha në shërbim dhe në lëvizje. Për këtë arsye, Nadal po stërvitet në Akademinë e tij në Manacor, larg syve kureshtarë.

Problemet fizike vazhdojnë dhe e detyrojnë atë të ndryshojë planet e tij për të qenë konkurrues në Roland Garros dhe Olimpiadë.

“Ky nuk është një moment i mirë, pasi trupi im nuk më lejon që të luaj ashtu si dua dhe të jem konkurrues. Më vjen keq që duhet të tërhiqem nga Montekarlo”, tha Nadal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat