Rafael Nadal ia del të kalojë në raundin e tretë në Madrid. Tenisti spanjoll mposhti Alex De Minaur në dy sete, 6-7 dhe 3-6, në një ndeshje që zgjati për dy orë e tre minuta me 38-vjeçarin që dhuroi maksimumin nga vetja i nxitur edhe nga publiku i tij.
Për të kuptuar sa i madh dhe i rëndësishëm ishte për Nadal ky triumf ndaj australianit, mjafton të kujtojmë se De Minaur e kishte mposhtur Rafën në dy përballjet e fundit, në janarin e vitit 2023 në Australi si dhe vetëm para disa ditësh në Barcelonë, me tenistin nga Mallorca që pas asaj sfide pati edhe dyshime nëse mund të konkuronte sërish në nivele të larta.
Për të shtuar këtu, kjo ishte fitorja e parë për Nadal me një tenist që renditet në 20-tëshen e parë të botës nga nëntori i vitit 2022. Kështu, Nadal do të vijojë të luajë në raundin e tretë tashmë përballë argjentinasit Cachin.
Pas sfidës me De Minaur, Nadal theksoi se nuk e priste që trupi i tij të përballonte një sfidë kaq intensive ndërsa shtoi se ai çdo ditë zgjohet me shpresën se mund të vazhdojë të luajë në nivele të larta.
“Jam i surprizuar nga vetja, vij nga disa kohë shumë të vështira në aspektin profesional, por çdo mëngjes zgjohem me shpresën se do të vazhdoj të përjetoj ndeshje si kjo me De Minaur.
Falenderoj publikun, unë gaboj, por ata nuk gabojnë kurrë. Nuk mund t’i kërkoj më shumë.
Dua që të përmirësohem ende, por le t’i marrim gjërat me radhë.
Nuk e dija dhe nuk e besoja se mund të luaja një ndeshje të plotë apo kaq intensive. Tani kam edhe një ndeshje më shumë në Madrid dhe kjo është për mua është e mrekullueshme. Ndeshja e radhës është ndaj Cachin, një rival i vështirë. Megjithatë, për mua rëndësi ka vetëm fakti që isha në Madrid”, u shpreh Nadal.