Nadal në dilemë

Tenis

Nadal në dilemë

Më: 14 maj 2024 Në ora: 11:43
Rafael Nadal,

Rafael Nadal, pas eliminimit nga turneu i Romës, duhet të marrë një vendim, nëse do të luajë në Roland Garros. Tenisti spanjoll, 22 herë fitues në grand slam, ka fituar 14 herë në Paris, turneun e tij të preferuar.

Në një intervistë për “FranceTvSport”, Nadal foli për gjendjen e tij shëndetësore: “Jam mirë. Për mua është një gëzim i madh që kam qenë në gjendje të luaj në Barcelonë, Madrid dhe Romë. Për një kohë të gjatë mendoja se ky do të ishte viti im i fundit, por për fat tani ndihem shumë më mirë prej disa javësh”.

Duke folur për Roland Garros, që nis më 26 maj dhe për Lojërat Olimpike, në fund të korrikut, Nadal shton: “Unë nuk dua të luaj në Roland Garros nëse më duhet të vazhdoj me kujdes dhe pa mundur të jap maksimumin, siç ndodhi në Barcelonë dhe Madrid”.

“Është një turne kaq i veçantë në karrierën time dhe me një vlerë kaq sentimentale sa që do të preferoja të kisha një tjetër kujtim prej tij. Do të jetë e vështirë nëse nuk jam atje, por do të luaj vetëm nëse ndihem konkurrues”, tha Nadal.

“Do të luaj vetëm nëse ndjej se mund të jap 100% të mundësive të mia. Nëse kjo nuk më ndihmon të fitoj një ndeshje të vetme, do ta pranoj. Nuk e shoh veten të shkoj në fushë duke e ditur se nuk kam asnjë shans. Nëse ka vetëm 0.01% shanse që të fitoj dua të provoj, por nëse nuk kam absolutisht asnjë, preferoj të mos luaj”, u shpreh Nadal.

Duke folur për Olimpiadën, spanjolli shton: “ Ka ndjesi që mund t’i përjetosh vetëm në Lojërat Olimpike, është thelbi i sportit. Këtë vit, Olimpiada është shumë e veçantë, zhvillohet në Paris. Kështu, që do të isha shumë i emocionuar për të konkurruar, është diçka që do të më bënte të lumtur”.

Nadal foli edhe për dëmtimet: “Kam pasur një dëmtim shumë të rëndë kur isha 19 vjeç dhe kishte shumë mundësi që të mos vazhdoja të luaja profesionalisht. Kjo e komplikoi gjithë karrierën time me probleme të tjera fizike, por më ndihmoi t’i jepja vlerë gjithçkaje që ndodhi gjatë karrierës sime".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat