Shtyhet tenderi për stadiumin e Tetovës, në buxhetin e komunës për vitin 2024 nuk ka mjete për ndërtim

Tetova

Shtyhet tenderi për stadiumin e Tetovës, në buxhetin e komunës për vitin 2024 nuk ka mjete për ndërtim

Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 18:05
Foto ilustrim

Komuna e Tetovës e ka prolonguar tenderin për stadiumin e Tetovës, i cili duhej të mbyllej më 22 dhjetor, por u shty për 13 janar. Kryetari Bilall Kasami thotë se në ditën e 13-të të vitit të ri do të duhet të shihet se cilat kompani kanë konkurruar, që edhe të përzgjedhin njërën.

“Jo nuk ka përfunduar, është prolonguar afati deri më 13 janar, me 13 janar ne do të kemi oferta dhe pastaj ne do të dalim me informatë se kush ka konkurruar dhe si janë aplikimet dhe se si janë mundësitë për të përzgjedhur një kompani”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.t

Në buxhetin e vitit 2024 nuk janë paraparë mjete për ndërtimin e stadiumit të Tetovës, pasi sipas Kasamit, mënyra e financimit të këtij stadium do të jetë në mënyrë tjetër. Kasami e pranon se për ndërtimin e stadiumit do të shitet pronë e komunës, por shitja e tokës do të sjellë edhe të hyra për komunën.

“Bëhet fjalë për një stadium, për një projekt kapital për Tetovën, që shkon deri në 10 milionë euro dhe do të duhet të gjejmë forma që është jashtë asaj që është financimi i komunës dhe ne kemi përmendur disa forma që kanë të bëjnë me zhvillimin e qytetit, me pjesën e ndërtimeve të reja, ku do të sigurohen mjete shtesë duke shitur tokë shtetërore”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Kasami gjithashtu thotë se viti 2023 ka qenë vit i suksesshëm, ndërsa në takimin me gazetarët tha se vitin 2024 do të ketë projekte të rëndësishme për Tetovën, duke premtuar se do zgjidhet edhe problemi me qentë endacak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat