Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë ka reaguar në lidhje me akuzat e Komunës së Tetovës, prej ku thanë se policia pengon punën e kompanisë “Saubermacher” e cila është përgjegjëse për grumbullimin e mbeturinave në qytet.
Nga SPB Tetovë thonë se ata në vazhdimësi e kontrollojnë dhe rregullojnë komunikacionin në mënyrë që të merren masa me rastin e kontrollaksioneve republikane dhe atyre të veprimit lokal në lidhje me lëshimet dhe parregullsitë në komunikacion ndaj të gjithë kundërvajtësve.
Policia e Tetovës në reagim thotë se kontrollet janë sipas planit të MPB-së dhe zbatohen në të gjithë shtetin dhe në asnjë rast kjo nuk është bërë veçmas në një SPB ose për ndonjë person juridik apo kompani.
“Gjatë muajit të kaluar gjatë aksioneve të tilla, të cilat janë kryer në komunikacionin në rrugët e Tetovës, janë konstatuar rreth njëzet kundërvajtje si automjete me defekte teknike, me defekte të ndryshme si: defekte në pajisjet e frenimit, pajisjet drejtuese, pajisje për ndriçim rrugor, gjendjen e xhamave, drejtimi i një automjeti me kategori të papërshtatshme në patentë shofer, pa patentë shoferi, ose automjete të paregjistruara nga kompanitë publike si; transport publik i udhëtarëve, ndërmarrje për pastërti publike dhe ndërmarrje të tjera që gravitojnë në zonën e SPB Tetovë”, thuhet në reagim.
Ndryshe, Komuna e Tetovës dhe SPB Tetovë vazhdimisht kanë pasur përplasje, ndërsa nga vetqeverisja lokale thonë se kanë pengesa nga policia për arsye politike.