Një rrugë në Tiranë merr emrin e regjisorit të njohur, Artan Minarolli! Veliaj: La pas një pasuri të jashtëzakonshme, burim frymëzimi

Tirana

Një rrugë në Tiranë merr emrin e regjisorit të njohur, Artan Minarolli! Veliaj: La pas një pasuri të jashtëzakonshme, burim frymëzimi

Më: 2 mars 2021 Në ora: 18:37
Pamje nga takimi

Një nga rrugët e Tiranës do të mbajë emrin e skenaristit dhe regjisorit të njohur, Artan Minarolli. Kryebashkiaku Erion Veliaj ia dorëzoi tabelën simbolike me emrin e artistit, djalit të tij, Genc Minarollit, i cili shoqërohej edhe nga aktori Ndriçim Xhepa, shok dhe koleg i Artanit.

“Është ambicia jonë që rrugët e Tiranës të jenë jo vetëm më estetike, por emrat e tyre të përkujtojnë njerëz të rëndësishëm të qytetit. Emri i Artan Minarollit i bën nder Tiranës”, tha Veliaj.

Ai vlerësoi kontributin e regjisorit në kinematografinë shqiptare, pasi la gjurmë të pashlyera në fushën e artit, si dhe ishte burim frymëzimi për kineastët e rinj.

Në emër të familjes, Genc Minarolli i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj për këtë vlerësim që iu bë babait të tij. Edhe aktori i njohur, Ndriçim Xhepa, i cili ka qenë një nga bashkëpunëtorët, por dhe miqtë më të ngushtë të regjisorit Minarolli, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për nderimin.

“Më vjen mirë që jam i pranishëm në përkujtimin e mikut tim, me të cilin jam rritur, por që u nda nga jeta shumë shpejt. Ne jemi rritur bashkë, në një pallat, ndaj kam kënaqësinë që në prezencë të bashkëshortes Etlevës, por edhe Gencit, kryetari i Bashkisë respekton emrin e Artan Minarollit për kontributin, për vlerat që ai la në kinemanë shqiptare”, tha Ndriçim Xhepa.

Minarolli, i cili për një kohë shërbeu edhe si Drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, teksa kishte plot projekte kinematografike që prisnin të shihnin dritën e realizimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat