Veliaj dhe Kushi në shkollën e re “Murat Toptani”: “Nuk ka më asnjë arsye që nxënësit të dynden dhe mësimi të bëhet me dy turne”

Tirana

Veliaj dhe Kushi në shkollën e re “Murat Toptani”: “Nuk ka më asnjë arsye që nxënësit të dynden dhe mësimi të bëhet me dy turne”

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 14:56
Foto

“Murat Toptani” është tjetër shkollë e re, e rindërtuar pas shkatërrimit të tërmetit të 26 nëntorit, e cila hap dyert për nxënësit këtë vit arsimor. Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga nisja zyrtarisht e mësimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Arsimit, Evis Kushi uruan 360 nxënësit që do ulen rishtazi në shkollën 3 herë më të madhe se ajo që kishin, një vit të mbarë në rrugën e dijes, tashmë me kushte të njëjta si shkollat në qendër.

“Sot kemi një gëzim shumë të madh. Mezi pres që këtë investim ta kthejmë në një etalon se çfarë mund të bëhet me hapësirën publike kur investohet me pasion. Kjo ka qenë e gjitha një zonë informale, dikur një fermë bujqësore, por sot ka ndryshuar shumë. Tirana është urbanizuar, qyteti ka ardhur deri në këto limite dhe pyetja është: A e kemi mundësinë të investojmë me të njëjtin standard dhe cilësi, siç bëhen shkollat në bllok, edhe në periferi? Përgjigja është po! Për këtë e kam zemrën plot me gëzim,” u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se tashmë nuk ka asnjë arsye për dyndjen e fëmijëve në të njëjtat shkolla dhe as për mësim me dy turne. “Zakonisht vektori ka qenë për të shkuar drejt qendrës. Fëmijët përditë torturoheshin për të shkuar te shkollat në qendër. Kjo është arsyeja pse një pjesë e atyre shkollave kanë qenë me dy turne. Sot që kemi shkollën “Murat Toptani”, që është 3 herë më e madhe nuk ka pse fëmijët të humbasin orë të tëra në trafik, në një kohë që mund ta shfrytëzojnë për t’u bërë basketbollistë të mirë, të mësojnë piano, apo kitarë,” tha ai.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi u shpreh se komuniteti ka nevojë për shumë shërbime, por shkolla është gjithmonë e para, sepse fëmijët tanë janë motivi që kemi për jetën dhe për të ardhmen. Ata meritojnë që t’i rrisim të shëndetshëm dhe t’i edukojmë sa më mirë, që nesër të bëhen profesionistë të aftë dhe qytetarë të denjë. Duke falënderuar Bashkinë Tiranë për kontributin që jep posaçërisht për shkollat dhe mirëmbajtjen e tyre, ministrja Kushi shtoi gjithashtu se të gjitha shkollat e reja që po ndërtohen me programin e madh të rindërtimit kanë standardet më bashkëkohore, me hapësira më të mëdha, më komode, laboratorë, palestra e biblioteka.

“Por, për një arsimim cilësor nuk mjafton vetëm infrastruktura cilësore, duhet që edhe mësuesit të jenë profesionistë të mirë dhe të përkushtuar, ashtu siç duhen edhe tekste shkollore cilësore dhe programe të përshtatura me zhvillimet e kohës. Prandaj, të gjithë siç jemi, të angazhohemi fort që të punojmë pa u ndalur për t’i rritur dhe edukuar sa më mirë fëmijët tanë,” tha ministrja Kushi.

Veliaj e quajti këtë vit, vitin historik për shkollat në kryeqytet. “Ne hapim mbi 10 shkolla dhe dy kopshte të reja në të gjithë cepat e Tiranës, në periferi, në fshat dhe në njësitë urbane. Për këto 10 shkolla dhe dy kopshte besoj që do hyjmë në histori, si viti që kemi hapur më shumë institucione arsimore se 101 vjet të Tiranës kryeqytet,” deklaroi ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat