Lajm i mirë për bizneset në Tiranë, bashkia shtyn pagesat për taksat

Tirana

Lajm i mirë për bizneset në Tiranë, bashkia shtyn pagesat për taksat

Më: 6 prill 2022 Në ora: 17:53
Erion Veliaj

Bashkia e Tiranës ka vendosur që t’u vijë sërish në ndihmë bizneseve të vogla, të cilat janë prekur nga situata e krijuar prej luftës në Ukrainë, e cila ka prekur ekonominë e të gjitha vendeve të botës, duke sjellë lëvizje të çmimeve edhe në vende të vogla si Shqipëria.

Nisur nga kjo, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot vendimin për shtyrjen e afatit të pagesës për tarifën e pastrimit, taksën e tabelës dhe taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore për në datën 20 maj 2022. Gjithashtu dhe shtyrjen e afatit të pagesës së këstit të parë për taksat mbi pasurinë e paluajtshme, përkatësisht, taksa mbi ndërtesën, taksa mbi truallin dhe taksa mbi tokën bujqësore për në datën 20 maj 2022.

Këshilli miratoi dhe shtyrjen e afatit të pagesës së këstit të dytë për taksat mbi pasurinë e paluajtshme, përkatësisht, taksa mbi ndërtesën, taksa mbi truallin dhe taksa mbi tokën bujqësore për në datën 31 korrik 2022.

Lajmin e mirë e dha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se ky është një lajm i mirëpritur për të gjitha bizneset.

“Më duket diçka e arsyeshme, edhe për faktin se me kostot e rritura të disa shpenzimeve, siç mund të jetë nafta apo shpenzime të tjera, i jep biznesit një muaj frymëmarrje, për të mos i vënë nën presion për të kapur afatet. Besoj se është lajm i mirëpritur nga të gjithë”, deklaroi Veliaj.

Kjo nuk është nisma e vetme që ndërmerr Bashkia e Tiranës në ndihmë të bizneseve. Gjatë pandemisë, Bashkia u erdhi në ndihmë duke shtyrë një pjesë të pagesave ose duke u falur disa të tjerë për periudhën kur ato kanë qëndruar mbyllur.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat