Përurohet Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, Veliaj: Një komb serioz duhet të jetë i përgatitur

Tirana

Përurohet Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, Veliaj: Një komb serioz duhet të jetë i përgatitur

Më: 12 prill 2022 Në ora: 14:37
Erion Veliaj

Përurohet në Tiranë Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

E ndërtuar në një hapësirë të vënë në dispozicion nga Bashkia e Tiranës, me ndihmën e Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim, Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile do të përmirësojë koordinimin dhe komunikimin e strukturave të Sistemit të Mbrojtjes Civile në rastet e Emergjencave Civile.

Në fjalën përshëndetëse, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se hapësira është zgjedhur në zemër të qytetit, çka tregon vëmendjen që i kushtohet zgjidhjes së emergjencave. “Sherri i famshëm me policët e bashkisë dhe punëtorët, i para një viti, ndodhi këtu, jo në një zyrë partie. Dua ta kaloj me humor atë incident, pasi tani e patë se këto nuk ishin zyra partie, por zyra e emergjencave civile”, kujtoi Veliaj

Duke falenderuar mbështetjen italiane për ngritjen e kësaj qendre, ai vlerësoi bashkëpunimin jo vetëm mes institucioneve shtetërore, por edhe lidhjet kulturore mes dy popujve.

Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Roberto Fico, vuri në dukje raportet mjaft të mira të bashkëpunimit mes dy vendeve. “Edhe Italia është një vend i goditur nga tërmetet. Eksperienca jonë e bashkëpunimit është e shkëlqyer. Ky investim mendoj se do të shërbejë jo vetëm për të shpëtuar jetë, por edhe për të parandaluar katastrofa, si ajo që ndodhi në Shqipëri në 2019 dhe në Itali në disa raste. Ky është fillimi i një udhëtimi që ne do të bëjmë së bashku, i cili do të ketë disa zhvillime me synim arritjen e standardeve evropiane në fushën e Mbrojtjes Civile”, shtoi ai.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shprehu mirënjohjen e popullit shqiptar për angazhimin e Italisë në situata emergjente dhe kritike si ajo e tërmetit të vitit 2019 apo edhe përgjatë pandemisë COVID- 19.

“Ambicia jonë është e madhe, së bashku me Bashkinë e Tiranës, ne jemi përkrah në këtë hap të parë që do të shoqërohet më tej nga një program shumë më i madh prej 30 mln euro, në kuadër të një ndihme prej 95 mln euro, dhe këtu Italia ka rolin e liderit. Pra, kemi bërë hapin e parë për të shkuar drejt një sistemi vërtetë modern, bashkëkohor, të mbrojtjes civile, për t’iu përgjigjur në kohë, krah për krah me bashkitë, që janë në frontin e parë me emergjencat civile, çdo lloj fatkeqësie natyrore e për të mbrojtur qytetarët tanë”, u shpreh ministri Peleshi.

Drejtori i Përgjithshëm Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako shpjegoi se Qendra Kombëtare e Operacionale Emergjencave Civile ka kapacitet për 12 operatorë nga forca të ndryshme që janë të përfshira në operacione në terren, sipas ministrive të ndryshme, në varësi të ndodhjes dhe llojit të emergjencës.

Të pranishëm në inaugurimin e kësaj qendre ishte dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri,Fabrizio Bucci, Drejtori i Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim, Luca Maestripieri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat