Sekretari i Shtetit në Ministrinë gjermane të Transportit takon Veliajn, Oliver Luksic: Të impresionuar nga zhvillimi i Tiranës

Tirana

Sekretari i Shtetit në Ministrinë gjermane të Transportit takon Veliajn, Oliver Luksic: Të impresionuar nga zhvillimi i Tiranës

Më: 13 prill 2022 Në ora: 14:07
Foto nga takimi

Sekretari Parlamentar i Shtetit pranë Ministrisë Federale për Zhvillimin Digjital dhe Transportit, Oliver Luksic, zhvilloi një takim me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Bashkia e Tiranës ka një bashkëpunim të ngushtë me GIZ dhe KFW për sa i përket transportit në kryeqytet dhe kjo ka qenë edhe tema kryesore e diskutimin në takimin mes Veliajt dhe Luksic.

“Tirana këtë vit është Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe kemi pafund aktivitete kulturore, por nga ana tjetër, Tirana është edhe një kryeqytet në rritje dhe një nga nevojat kryesore është transporti publik. Kjo është arsyeja pse kemi një skuadër fantastike të GIZ-it dhe KFW-së, dy agjencive kryesore gjermane të zhvillimit, për t’u siguruar që përmirësojmë ndjeshëm transportin në Tiranë. Sot gjysma e flotës së taksive janë elektrike, kemi futur për herë të parë një linjë të gjelbër autobusësh, kurse kompanitë nuk po subvencionohen për faktin se ekzistojnë, por sipas kilometrave që bëjnë, për stacionet dhe oraret që kapin”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e tij, Sekretari Parlamentar i Shtetit pranë Ministrisë Federale për Zhvillimin Digjital dhe Transportit, Oliver Luksic, u shpreh i impresionuar nga transformimi i Tiranës. “Jemi vërtet tepër të impresionuar për mënyrën se si është zhvilluar Tirana. Sigurisht, rritja, zhvillimi, sjell gjithashtu edhe dhimbjet e veta dhe pikërisht për këtë arsye bëhet edhe më e rëndësishme që edhe planifikimi urban të jetë sa më i saktë dhe sa më i kujdesshëm. Mua më gëzon fakti se GIZ-i dhe KFW-ja japin mbështetjen e tyre në mënyrë që Tirana të bëhet sa më digjitale dhe elektrike në fushën e transportit”, u shpreh Luksic.

Veliaj përmendi projektin tjetër ambicioz të Tiranës, atë të linjave të shpejta të transportit publik, përmes korsive të dedikuara. “Duam që bashkë me GIZ-in dhe KFW-në të investojmë në linjat e dedikuara, në atë që quhet “Bus Rapid Transit”, pra tranzit i shpejtë me autobus. Në rrugët e Tiranës kemi bërë disa pilotime, në mënyrë që linjat kryesore, si Kinostudio, Porcelani, Unaza dhe Tirana e Re, të kenë linja të dedikuara autobusësh, për t’u siguruar që kush zgjedh këtë mjet transporti, të arrijë më shpejt në destinacion, sesa ata që zgjedhin makinën e tyre private dhe u duhet të presin në trafik bashkë me 200 mijë makinat e tjera”, theksoi Veliaj.

“Kemi krizën e çmimit të karburanteve, – tha kryebashkiaku, – por kemi edhe mundësinë që në një qytet si Tirana, me 300 ditë diell, me terren relativisht të sheshtë në pjesën më të madhe urbane, të përdorim biçikletën”. Veliaj shtoi se numri i përdoruesve të biçikletave është trefishuar. “Me kolegët e GIZ-it dhe KFW-së po punojmë për të shtuar edhe më shumë korsitë e biçikletave, si dhe të lidhim më mirë këto që kemi”, përfundoi ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat