16 të huaj “bëhen” shqiptarë, betimi për nënshtetësinë para kryetarit të bashkisë së tiranës

Tirana

16 të huaj “bëhen” shqiptarë, betimi për nënshtetësinë para kryetarit të bashkisë së tiranës

Më: 14 prill 2022 Në ora: 15:46
Erion Veliaj

Shtetas të huaj, profesionistë në fusha të ndryshme, zgjedhin Tiranën për të ndërtuar jo vetëm karrierën e tyre, por edhe për të jetuar. Të tillë janë edhe 16 shtetasit më të rinj që morën nënshtetësinë shqiptare dhe u betuan përpara kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe për respektimin e Kushtetutës e të legjislacionit të Republikës së Shqipërisë.

“Teksa për të tjerët do flas për fqinjësinë, për ju do të flas si bashkëqytetarë, sepse tani ndajmë të njëjtën kombësi, të njëjtin qytet, të njëjtat aspirata, dhe jemi pjesë e një misioni që quhet “Misioni Shqipëria”, për ta bërë këtë vend, jo vetëm kozmopolitan, por edhe një vend evropian e të modernizuar”, tha ai.

Kryebashkiaku u shpreh se shqiptarët, ashtu si në rastin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjithmonë kanë ditur të mbështesin njerëzit në nevojë.

“Vjet pritëm një komunitet prej mijëra qytetarësh afganë, që erdhën fillimisht në Tiranë, pastaj edhe në disa vende të tjera të Shqipërisë, të cilët gjetën shpëtim nga ajo që po ndodhte në Afganistan, derisa më pas morën dokumentat për në SHBA. Më vjen mirë që Tirana dhe Shqipëria është kthyer në një vend strehimi, sidomos për gratë dhe fëmijët që vijnë nga Ukraina – ata janë më të dobëtit, më të pafuqishmit, më të pafajshmit në këtë konflikt. Më vjen mirë se si shqiptarë, kemi një fije të padukshme të vëllazërisë, të një dere të hapur, të një zemre të hapur, të mikpritjes ndaj atyre në nevojë, e solidaritetit me atë që po kalon një fatkeqësi, që është më i dobët se ne në këtë moment”, deklaroi Veliaj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat