Në kulmin e vapës, pa ujë në Tiranë/ Banorët: Nuk kemi asnjë pikë ujë, askush nuk merr masa

Tirana

Në kulmin e vapës, pa ujë në Tiranë/ Banorët: Nuk kemi asnjë pikë ujë, askush nuk merr masa

Më: 23 korrik 2022 Në ora: 20:30
Ilustrim

Banorët e disa zonave të Tiranës kanë probleme me furnizimin me ujë ndërkohë që temperaturat po i afrohen 40 gradëve. Në njësinë 8, qytetarët thonë se po detyrohen ta sigurojnë ujin në mënyra alternative. Ata paralajmërojnë protesta nëse bashkia dhe UKT nuk ndërhyn për tu garantuar furnizimin.

Banorët e disa zonave të kryeqytetit po përballen me mungesën e furnizimit me ujë në kulmin e temperaturave të nxehta.

Grupi i xhirimit të Ora News ka kryer një vëzhgim në zona të ndryshme të Tiranës, teksa ka konstatuar mos furnizimin me ujë në disa zona.

Njësia numër 8 është më problematikja. Në rrugën Ibrahim Buzhiqi banorëve u duhet të mbushin bidona për të siguruar sado pak rezervë, pasi rubinetët nuk kanë asnjë pikë ujë.

“U bë gati një muaj që ujë nuk vjen fare, vjen çerek ore e ik. Në mëngjes nuk vjen fare. Në darkë kur e kapim që vjen, pak vjen. Është me vdes. Po nuk pate ujë nuk ka jetë.”

Sipas banorëve problem është bërë ndërhyrja në linjën kryesore për të furnizuar banesat në pallatet e reja të ndërhyra aty pranë, por me sa duhet UKT nuk e ka parashikuar se dhjetëra familje një rrugë më tutje do të kenë këto probleme.

“Njësoj e kemi problemin të gjithë. Kemi vetëm gjysmë ore jë në ditë. Kemi një që punon këtu tek ujësjellës ai thotë se unë jam vetëm për sahatin. Që në qershor është ndjerë mungesa e ujit.”

“Por përveç problemit të ujit, këto familje vuajnë edhe një problem tjetër, mbetjet që pas shpinës time kanë shkaktuar pothuajse një ndotje masive.”

Fajin për këtë Bashkia e Tiranës ia faturon banorëve duke i kërcënuar edhe me gjobë.

“Na kanë thirr në bashki dhe deshën me na gjobit neve si familjarë. Thonë se është e juaja dhe do e ruani ju. Na kanë kërcënuar me gjobë nëse si heqim plehrat."

“Plehrat u bën gati tre vjet që rrinë kështu .”

Rreziku i infeksioneve sipas banorëve është shumë i lartë.

Sërish në njësinë 8 në zonën e njohur si tregu i biçikletave një tjetër bllok pallatesh ka problem me furnizimin me ujë. Kjo është e gjithë sasia që mund të dalë nga rubineti kur hap çezmën.

Në rrugën “Riza Cerova”, banorët bëjnë me dije se 3 ditë nuk kanë mundur të mbushin asnjë gotë ujë.

Edhe pse përgjegjës të UKT e mohojnë këtë problem faktet në terren flasin ndryshe. Banorët paralajmërojnë protesta nëse nuk u sigurohet furnizimi me ujë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat