Këlliçi: Në Tiranë situatë dëshpëruese, duhen dëgjesa me qytetarët për vendimmarrjen që prekin komunitetin

Tirana

Këlliçi: Në Tiranë situatë dëshpëruese, duhen dëgjesa me qytetarët për vendimmarrjen që prekin komunitetin

Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 23:18
Belind Këlliçi

Kandidati në primare brenda PD për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi thotë se Tiranës i mungon jeta kulturore dhe sociale.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan për të shpalosur vizionin dhe programin e tij, Këlliçi deklaroi se Tirana duhet të bëhet qytet i jetueshëm për 12 muajt e vitit.

Sipas tij, duhen marrë masa më shumë për rinisë dhe për sportin e aktivitete të tjera në qytet.

“Në Tiranë është një situatë dëshpëruese përsa i përket jetës sociale, jetës kulturore. Duhet të jetë Tirana një qytet që i jep akses dhe mundësinë gjithë qytetarëve të jetojnë në këtë qytet 12 muajt e vitit. Jemi tani në muajin Dhjetor dhe ma besoni në këtë periudhë do ketë një periudhë kur studentët do të marrin pushimet dhe do të largohen, ky vend do të shkretohet edhe pse duhet të jetë një periudhë festash. Tirana duhet të jetë e jetueshme, kjo Tiranë që kemi nuk na mjafton. Është e vërtetë që Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, por nuk duhet të presim që të shpallet qyteti europian i rinisë apo qyteti europian i sportit siç është vitin tjetër, për të folur për rininë dhe për sportin. E vërtetë është që nuk kemi asnjë qendër rinore dhe e vetmja qendër rinore që ishte u dha leje për t’u bërë pallat, po bëhet kullë. Kështu që duhet të ketë disa prioritete që të targetojnë dhe fokusojnë nevojat e qytetarëve. Jam pro në parim korsive të biçikletave, por Tirana duhet të jetë proporcionale. Duhet të ketë një vend edhe për korsitë e biçikletave, edhe një linjë mbase të dedikuar për autobusët, por edhe për makinat, edhe trafiku të lehtësohet, por dhe dyqanet për shembull në rrugën ‘Myslym Shyri” apo në Rrugën e Kavajës e të Durrësit, të mos falimentojnë për shkak të korsive të biçikletave. Kështu që duhet të bëhen dhe dëgjesa me qytetarët për vendimmarrjen që prekin drejtpërdrejt komunitetin”, u shpreh Belind Këlliçi.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat