Aksioni i qeverisë për konfiskimin e pallateve pa leje përballet me kritika

Tirana

Aksioni i qeverisë për konfiskimin e pallateve pa leje përballet me kritika

Më: 3 dhjetor 2022 Në ora: 20:34
Tirana

Qeveria shqiptare ka konfiskuar së fundmi 15 pallate në shkelje të lejeve të ndërtimit dhe premton se do t’i përdorë ato për shërbime sociale, por ekspertët e shohin me dyshim bazën ligjore dhe suksesin afatgjatë të këtij aksioni. Materiali në vazhdim është përgatitur nga Rrjeti BIRN në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.

I ulur në zyrën e tij pas një pirgu dosjesh, Kryeministri Edi Rama deklaroi më 21 nëntor se kishte firmosur konfiskimin e 15 pallateve në tejkalim të lejes apo pa leje ndërtimi. Rama sulmoi gjithashtu skeptikët që e kishin vënë në dyshim qëllimin e qeverisë së tij dhe akuzoi Prokurorinë se kishte fjetur mbi kallëzime.

“Sot kam firmosur pas kalimit në të gjitha hallkat ligjore, plot 15 procedura konfiskimi ndërtimesh, ku për qëllime fitimi janë tejkaluar kufijtë ligjorë. Hapësirat e marra do t’i kalojnë shtetit, që sipas rastit do t’i shfrytëzojë për mjedise zyrash, strehim ose shërbime sociale,” deklaroi Rama.

Dalja publike e kryeministrit vjen pas një vendimi të diskutueshëm të marrë nga qeveria e tij në shtator për konfiskimin e objekteve për qëllime fitimi që kanë shkelur lejet e ndërtimit si dhe bilancin e deritanishëm të këtij aksioni.

Por ekspertë të qeverisjes dhe legjislacionit thonë se qeveria ka uzurpuar kompetencat e gjyqësorit dhe dyshojnë për suksesin afatgjatë të këtij aksioni.

Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi e krahason këtë fushatë të re të qeverisë kundër ndërtimeve pa leje me operacionin sipas tij të dështuar “Forca e Ligjit”.

“Problemi është më i madh akoma në këndvështrimin kushtetues, për arsye se qeveria ka zgjeruar hapësirën e pushtetit të saj duke kufizuar pushtetin e gjyqësorit. Në këto kushte, kjo vendimmarrje i shpëton nga ndëshkimi penal shkelësit, garanton disa para të hyra, ndoshta në shumë në xhepat e politikanëve se sa në arkën e shtetit dhe njëkohësisht premton në rolin e Robin Hudit, që do ua marrë të pasurve dhe do ia japë të varfërve, gjë që as ka ndodh dhe as ka për të ndodhur,” tha Preçi.

Avokati Redon Meksi thekon se sipas legjislacionit aktual, ndërtuesit që kanë shkelur ligjin do duhej të procedoheshin më parë nga Prokuroria.

“Bënë një VKM detajuese për të shmangur mbase përgjegjësinë penale. Normalisht ligjërisht nuk e shmang përgjegjësinë penale, por këta do lëvizin me të gjitha mjetet e tyre për ta shmangur këtë përgjegjësi,” tha Meksi.

Qeveria shqiptare nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it mbi pallatet e konfiskuara dhe ndjekjen e dy standardeve me ndërtimet pa leje.

Ndërsa Prokuroria e Tiranës tha se ndërtimet e konfiskuara nga qeveria ishin të gjitha nën hetim, përveç një rasti për të cilin nuk kishte referim. Prokuroria tha gjithashtu se kishte marrë të pandehur ndërtuesin Julian Morina, aksioner i “Xheluks Construction”, e cila në partneritet me kompani të tjera, ka edhe numrin më të madh të ndërtimeve të konfiskuara.

Morina nuk ishte i arritshëm për koment, ndërsa shumica e ndërtuesve refuzuan të komentonin vendimet e konfiskimit të pallateve të tyre nga qeveria. Robert Biqiku, aksioner në një ndërtim të konfiskuar pranë Liceut Artistik tha se situata ishte e paqartë dhe priste që qeveria të sqaronte pozicionin e saj.

Ndërtimet pa leje janë një fenomen i zakonshëm i tranzicionit shqiptar dhe megjithë aksionet sporadike të qeverive – informaliteti ka vazhduar të sfidojë zbatimin e ligjit. Sipas arkitektes Dorina Musai, ky fenomen po shfaqet së fundmi si “informalitet i kontrolluar”.

“Tirana është më e paqëndrueshme se sa ishte kur nuk kishte një plan. Por po shohim që po shtohen probleme të reja, informaliteti si fenomen që ishte i përhapur në territor sot po shfaqet në një formë tjetër si informalitet i kontrolluar. Tirana po shfaq atë që ne e quajmë mungesa e drejtësisë hapësinore, që do të thotë në terma të tjerë mungesa e drejtësisë sociale,” përfundoi Musai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat