“Zyrtarët e Metës dhe Monës menaxhuan inceneratorët”/ Veliaj për McGonigal: Një stuhi në gotë, Berisha uli Fazlliç në Këshillin e Sigurimit

Tirana

“Zyrtarët e Metës dhe Monës menaxhuan inceneratorët”/ Veliaj për McGonigal: Një stuhi në gotë, Berisha uli Fazlliç në Këshillin e Sigurimit

Më: 8 shkurt 2023 Në ora: 16:58
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se Tirana sot është shumë herë më e pastër se në kohën kur Bashkia drejtohej nga koalicioni Meta-Berisha. Duke folur në Neës 24 për inceneratorët, ai tha se kanë qenë pikërisht ish-ministrat dhe ish zyrtarët e LSI-së ata të cilët kanë menaxhuar gjithë këtë proces.

“Në të gjitha sondazhet janë nën 2%, në zhdukje, dhe sigurisht siç ndodh tipikisht në raste të tilla, sa më i vogël bëhesh, aq më i dhunshëm dhe vulgar bëhesh. Kështu që, unë ia qaj vërtet hallin. Thonë të njëjtat gjëra thjesht me një logo tjetër. Si ka mundësi që deri në vitin 2019, LSI-ja dhe zonja në fjalë, bashkë me të shoqin president, nuk kishin asnjë problem me incineratorin? Sepse ishin zyrtarët e partisë së tyre që e menaxhonin këtë punë dhe kishin atë sektor. Do me thënë, vetëm pasi prishen me njëri – tjetrin këta janë gati që të djegin gjithë Shqipërinë. Do të thotë që zonjës Kryemadhi, zotit Meta, Saliut, Lulit etj, iu shijonte kontrata që kishin më përpara”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se sot Tirana pastrohet shumë më lirë se sa në kohën kur në krye të Bashkisë ishte Lulzim Basha. “Këta e kanë menaxhuar Bashkinë e Tiranës në vitin 2015 dhe propozimi i tyre ishte për 37 euro toni, sot është 28, Durrësi e ka 29 se ka edhe pjesën e distancës. Sot Tirana paguan më pak se qytetet e tjera, por një gjë është e sigurt, Tirana sot paguan 1/3 e toni më pak, se koalicioni Meta – Berisha – Basha – Kryemadhi në Bashkinë e Tiranës. Të kujtoj që Basha ishte kryetar bashkie, kryeministër ishte Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kishin Tit Vasilin dhe Jorida Tabakun këtu nënkryetarë dhe kontrata e tyre dhe propozimi i tyre ishte 1/3 më shumë”, theksoi kreu i Bashkisë.

Krebashkiaku Veliaj u ndal dhe në çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal. Duke e konsideruar atë shumë zhurmë për asgjë, Veliaj tha se opozita shqiptare është e frustruar, ndërsa solli rastin e Damir Fazlliç që në kohën e qeverisë Berisha e ulën në Këshillin e Sigurimit.

“Shumë zhurmë për asgjë, të bësh një stuhi në gotë pse takohen njerëz, jam i sigurt se diferenca e madhe është që në dallim nga Damir Fazlliç që qeveria e merrte dhe e ulte në Këshillin e Sigurimit, këta janë njerëz që mbarojnë vizitat e kortezisë dhe vazhdojnë në punën e tyre. Dhe kjo është arsyeja që opozita është kaq e frustruar sepse është një gjë nuk po ngjit. Njerëzit sot janë të shqetësuar në qoftë se do ketë një pako tjetër ndihme, siç ishte ajo e fundvitit për ndihmën ekonomike, për aftësinë e kufizuar, për pensionistët dhe për ata që kanë profesionet vështira, duke qenë se kriza, edhe pse është zbutur, nuk ka mbaruar. Këto janë çështje konkrete. Por të bëhet hall kombëtar kë takoi kryeministri, që jam i sigurt që në karrierën e tij ka takuar mijëra njerëz, edhe një fraksion prej tyre mund të ketë bërë gabimet e jetës së tyre pasi kanë dalë nga ajo zyrë, më duket diçka që nuk ngjit, diçka që nuk po prodhon politikë konkrete dhe diçka që nuk është në interes të njerëzve”, tha Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat