Veliaj prezanton projektin për rijetësimin e Sarajeve: E ruajtëm me fanatizëm nga ata që donin ta shkatërronin, sot jemi gati ta kthejmë në Muzeun Etnografik të Tiranës

Tirana

Veliaj prezanton projektin për rijetësimin e Sarajeve: E ruajtëm me fanatizëm nga ata që donin ta shkatërronin, sot jemi gati ta kthejmë në Muzeun Etnografik të Tiranës

Më: 5 maj 2023 Në ora: 13:29
Erion Veliaj

Veliaj prezanton projektin për rijetësimin e Sarajeve: “E ruajtëm me fanatizëm nga ata që donin ta shkatërronin dhe sot jemi gati ta kthejmë në Muzeun Etnografik të Tiranës”

Prezantohet projekt-ideja për kthimin e godinës së Sarajeve të Toptanëve në Muzeun Etnografik të Tiranës. Projekti, i cili ka për qëllim rijetësimin e godinës në një vlerë të shtuar të Tiranës, do të ruajë vlerat kulturore e tradicionale të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Kulturës, Elva Margariti morën pjesë në prezantimin e projektit të Sarajave, për të cilën tha se pak kohë më parë u shpëtua nga zjarrvënia.

“Në 17 gusht 2021, një nga punonjësit e Policisë Bashkiake raportoi se kishte parë një person, i cili ishte futur nga dera e pasme dhe kishte hedhur një shishe me benzinë, duke thyer xhamin e godinës. Dy minuta nga raportimi, zjarrfikësja e Tiranës shuajti zjarrin e asaj që mund të kishte patur fatin e shkollës ‘Kosova’. Më vjen mirë që nga incidenti, që fatmirësisht u shua nga zjarrfikësit në dy minuta, qyteti përftoi një pronë publike, që sa të jetë jeta do të jetë pronë e bashkisë, e qytetit dhe e qytetarëve të Tiranës”, kujtoi Veliaj.

Ai u shpreh i lumtur se një ndërtesë e tillë po transformohet për të përfaqësuar identitetin e Tiranës. “Çfarë është identiteti? Se ka shumë njerëz që thonë duam identitetin e Tiranës. Përgjigja e saktë është: Varet kë pyet! Se për disa identiteti i Tiranës është shtëpia me puse e caracë dhe më vjen mirë që këtu do të riaktivizohet edhe pusi, edhe caraci. Por, prapë varet kë pyet, se disa të tjerë nuk e lidhin identitetin e Tiranës me pusin, caracin, por e lidhin si ‘Ali Demsa’, ‘Xhamlliksa’, ‘Lapraksa’. Për disa gjëra ne kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Kur vjen puna për faktet janë të gjitha kokëfortë: Një ndërtesë e tillë përfaqëson identitetin e Tiranës, meritonte të shpronësohej dhe të kalonte në pronësi të Tiranës”, deklaroi Veliaj.

Ai zbuloi se projekti MET (Muzeu Etnografik i Tiranës) do të zhvillohet nga e njëjta studio që realizoi Muzeun Marubi dhe Muzeun e Gjirokastrës. “MET mund të jetë një emër shumë urban, por MET-i është një shqiptim me ‘slang’ tirons i asaj që mund të jetë kjo ndërtesë në përditshmëri. Unë jam i sigurt se qyteti, ashtu siç i jep një nofkë dikujt – dikë e quan Lali, dikë ndryshe, por i jep një nofkë edhe ndërtesave dhe jam i sigurt se ndërtesa do të njihet me një emër. Sot jam i lumtur që merr udhë më në fund ky projekt, pas një studimi shumë të detajuar dhe një debati shumë të madh për ruajtjen e Tiranës së vjetër,” deklaroi më tej ai.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se pas Pazarit të Ri, Muzeu Etnografik i Tiranës është jetë një tjetër projekt i rëndësishëm kulturor që zhvillohet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. “Të mos harrojmë se ka vlera të shtuara që lidhen edhe me diplomacinë. Këtu kemi pasur Legatën Amerikane. Ashtu siç ka lidhje me librin, këtu kemi pasur Bibliotekën Kombëtare, Institutin e Monumenteve; pra është një godinë e cila gjallon histori ndër shekuj dhe sot, patjetër duhet të flasë edhe me gjuhën e vitit 2023. Pra, hapësira të reja, moderne, intereaktive për fëmijët, hapësira ku edhe artizanët të gjejnë mundësinë për të sjellë produktet e tyre. Nuk është një formulë e re. Pazari i Tiranës është një nga projektet më të suksesshme të rikualifikimit të gërmadhave, të vendeve të cilat kishin një histori, një potencial, por që komuniteti nuk ishte lidhur me to, duke i shfrytëzuar vërtet për zhvillimin ekonomik të përditshëm të familjeve të tyre. Kjo është edhe ajo që duam të bëjmë edhe këtu, në Muzeun Etnografik. Kjo nuk është thjesht një glorifikim i veprave të bukura që bën Ministria e Kulturës, bashkë me Bashkinë e Tiranës, por është glorifikimi i të gjitha vlerave të identitetit tonë kombëtar,” u shpreh ajo.

Arkitekti Jesus Hernandez zbuloi disa nga detajet e projektit. “Koncepti është frymëzuar nga tradita e Tiranës. Kjo është shumë frymëzuese për ne, prandaj e kemi ndarë në tre pjesë. E para është ndërtesa, e cila sot është bosh, por ka rëndësi për trashëgiminë kulturore. Pjesa e koleksioneve sepse ka shumë elementë në këtë qytet që janë shumë të rëndësishëm të tregohen para njerëzve. Po ashtu, është shumë e rëndësishme të përfshijmë njerëzit, audiencën, publikun. Koncepti tjetër që kemi menduar është ai i kulturës dhe me kulturën, e kulturës së veshjes, por edhe muzika, kuzhina. Këto janë aspekte të lidhura me kulturën e Tiranës. Elementi i fundit është pjesa e thurjes e së kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes. Zakonisht muzetë punojnë me të kaluarën dhe të tashmen, por ne mendojmë se muzeu duhet të shohë edhe të ardhmen,” shpjegoi Hernandez.

Sarajet është një nga objektet më të rëndësishme dhe të veçanta në Tiranë. Shtimi dhe mbrojtja e këtij aseti turistik e kulturor është një mision i padiskutuar për zhvillimin e mëtejshëm për Tiranën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat