Është kapur pas rreth pesë orësh autori që plagosi me armë zjarri një 27-vjeçar pranë kryqëzimit të Tushemishtit në Pogradec.
Policia thotë se ranë në pranga Deist Meko 32 vjeç dhe Klajdi Lotis, 27 vjeç, banues në Pogradec.
Gjatë një konflikti të çastit, me Alted Jolldashin, 27 vjeç, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, i cili për pasojë mbeti i plagosur dhe ndodhet për mjekim në spital.
I plagosuri Jolldashi është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë, për shkak se ka një plumb në gjoks. Sipas informacioneve, ai do të arrestohet nga policia, pasi dyshohet se është personi që ka qëlluar i pari drejt djemve të tjerë me një pistoletë me mulli. Konflikti mes palëve ka filluar pak kohë më parë, kur Jolldashi ka goditur vëllain e Mekos, ndërsa sot ky i fundit ka shkuar për tu sqaruar por Jolldashi ka nxjerrë pistoletën (i llojit me mulli) dhe ka qëlluar 5 herë drejt tyre. Më pas, autorët i janë kundërpërgjigjur duke e plagosur, ndërsa Jolldashi po merr mjekim në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dy armët e zjarrit që dyshohet se u përdorën në konflikt, nga autorët e krimit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.