Veliaj nga Kombinati: Zona e Lirë Ekonomike do të jetë kantieri më i madh, hapen 5-7 mijë vende pune; Ja investimet e reja

Tirana

Veliaj nga Kombinati: Zona e Lirë Ekonomike do të jetë kantieri më i madh, hapen 5-7 mijë vende pune; Ja investimet e reja

Më: 6 mars 2024 Në ora: 19:54
Erion Veliaj

Zona e Lirë Ekonomike në Kashar do të hapë rreth 7 mijë vende të reja pune.

Lajmin e mirë e dha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh drejtues politik i PS për qarkun e Tiranës, gjatë një aktiviteti për anëtarësimet e reja në parti. Veliaj deklaroi se shumë shpejt do të fillojë puna nga kompanitë e reja, të cilat kanë shfaqur interes të investojnë në vendin tonë.

“Kantieri më i madh në zonën e Kombinatit është Zona e Lirë Ekonomike. Kemi folur me kolegët nga Izraeli dhe kolegët amerikanë, ku planifikojmë të hapim 5-7 mijë vende pune. Unë e di që shteti do bëjë maksimumin, por shteti nuk i punëson dot të gjithë. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, që të gjithë të punojnë në shtet. Edhe në Kinë, apo në vende të tjera, që janë akoma me Partinë Komuniste, nuk i punëson dot të gjithë në shtet, madje disa nga investitorët më agresivë janë kinezë. Edhe shtete shumë të pasura si Arabia Saudite, Katari, Emiratet, pavarësisht se kudo që të shposh del naftë, prapë nuk i punëson dot të gjithë shteti. Ne duhet patjetër t’i japim mundësi privatit të lulëzojë. Ndaj, te Zona e Lirë Ekonomike kemi filluar ndarjen e parcelave dhe duke filluar nga java tjetër, do nisim me firmosjen e kontratave për kompanitë e reja që do të operojnë aty”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se tashmë fokusi do të jetë tek punës e së ardhmes. Veliaj u shpreh se Kombinati dhe zona e Astirit do të njohë një sërë investimesh të reja. “Nuk duam më kompani fasoni – me gjithë respektin për nënat tona që i bënë duart gjak nëpër fasoneri, por nuk janë ato punët e së ardhmes. Ne duhet të aspirojmë punë të tjera, punë dixhitale, që paguhen më mirë dhe që japin edhe njohuri që ngelen këtu. Kemi shumë punë të reja për Kombinatin dhe mezi pres që t’ju ftoj të gjithëve për hapjen e shkollës “Musine Kokalari”, që është bërë dy herë më e madhe, më e bukur. Tani me shkollat e reja që fillojmë tek Astiri dhe me “Musine Kokalarin”, do kemi mundësi që nga mosha 1 vjeç, 6-muajsh, tek çerdhja në Kombinat, pastaj tek kopshti në Kombinat, parashkollori në Kombinat, shkolla 9-vjeçare në Kombinat, gjimnazi në Kombinat – pra, nga 4 muaj deri në 18 vjeç, të kemi mundësi që ne të kemi arsim cilësor dhe kujdes maksimal brenda Kombinatit”, deklaroi Veliaj.

Ndërkaq, Bashkia do të fillojë punën edhe për një varrezë të re, duke I dhënë zgjidhje një kërkese të kryeqytetit. “Ne jemi duke bërë një plan sepse qyteti ka nevojë për një varrezë të re. Jemi duke parë në zonën e Vaqarrit dhe të Kasharit dy parcela të reja, për një vend dinjitoz”, tha ai.

Kreu i Bashkisë u ndal edhe tek procesi i rindërtimit, ku puna është drejt fundit. “Po mbarojmë pallatet e para, me gjithë infrastrukturën. Ne do rikthemi në Kombinat, ndoshta në një nga palestrat e shkollave, për të bërë shortin publik, pra që secili ta zgjedhë ku i bie apartamenti i tij, siç e kemi bërë edhe tek lagjja 5 Maji”, tha ai.

Drejtuesi politik i PS për qarkun deklaroi se koha ka treguar se kush di të bëjë 99 punë, mund të bëjë edhe 100. “Njerëzit nuk votojnë vetëm për ato që shohin, por edhe për faktin që nëse kanë shpresë që këto punë do shkojnë deri në fund, këtë shpresë e kanë vetëm te familja jonë dhe te PS-ja. Ai grup që bën 99 punë, bën edhe punën e 100-të. Ai grup që s’prek asnjë punë me dorë, ata nuk bëjnë dot, nuk lëvizin dot gishtin”, u shpreh Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat