TimeOut: Nëntë vendet më të bukura për t’u vizituar në Shqipëri

Turizëm

TimeOut: Nëntë vendet më të bukura për t’u vizituar në Shqipëri

Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 16:08
Foto ilustrim

Shqipëria është perla e Evropës që nuk e dinit se ekzistonte. Male të thyera të mbushura me shtigje të qeta ecjeje, rrënoja të lashta të fshehura nën hijen e pemëve, plazhe mahnitëse për eksplorim dhe qendra urbane me zhvillim të shpejtë, shkruan gazetari Stuart Butler në një artikull të botuar në të përditshmen angleze “TimeOut”.

Shqipëria ruan një atmosferë të një Evrope më të vjetër dhe më të egër. Është një vend ku tradita ka një rol të rëndësishëm. Një vend që mund të ndryshojë të gjithë opinionin tuaj për Evropën e shekullit XXI, transmeton ATSh.

Nga plazhet e Rivierës deri te rrënojat e largëta dhe qytetet e bukura, ja ku të shkoni në Shqipëri.

1. Tirana

Kryeqyteti i Shqipërisë dhe i vetmi vend që me të vërtetë ndihet si qytet. Në vend që t’i fshihnin qendrat dhe burgjet e marrjes në pyetje të epokës komuniste, autoritetet e qytetit i kanë shndërruar ato në muze, galeri arti. Në fundjavë, hipni në teleferik për të vizituar malin e Dajtit dhe për t’u bashkuar me vendasit për një drekë me mish qengji të pjekur me pamje nga qyteti.

2. Berati

Berati i bukur është një qytet me dy peizashe të ndryshme. Poshtë në breg të lumit shtëpitë janë të grumbulluara në anën e një kodre të pyllëzuar, me dritaret e tyre që reflektojnë rrezet e diellit. Ngjituni drejt majës së kodrës dhe do të arrini në gjysmën tjetër, dhe shumë më të vjetër të Beratit. Një portë mesjetare e restauruar të çon drejt Kalasë, ose kështjellës, dhe disa kishave dhe xhamive shekullore të cilat janë kthyer në muze.

3. Ksamili

Vendi kryesor i plazhit të Shqipërisë. Edhe pse larg, Ksamili, i cili përfshin një numër gjiresh, plazhesh dhe ishujsh të vegjël mbetet një nga vendpushimet më të mahnitshme në Rivierën Shqiptare. Turizmi masiv ka ndryshuar në mënyrë dramatike vijën bregdetare shqiptare në vitet e fundit, por Ksamili ruan ende magjinë e qetë që tërhoqi fillimisht vizitorët. Dhe, natyrisht, ushqimet e detit janë të shkëlqyera.

4. Gjirokastra

Historia e qytetit të vogël kodrinor të Gjirokastrës, në jug të Shqipërisë, daton të paktën 2 500 vjet më parë, me disa nga thesaret e kësaj lashtësie të vendosura me kujdes në muzeun e vogël të qytetit. Megjithatë, shumica e vizitorëve sot vijnë këtu për të parë 600 shtëpitë mahnitëse të epokës osmane që mbulojnë qytetin dhe kodrën përreth, disa prej të cilave janë të hapura për publikun. Qendra turistike e qytetit karakterizohet nga rrugët me kalldrëm, kafenetë artistike dhe dyqanet me suvenirë.

5. Butrinti

Ndoshta vendi historik më mbresëlënës në Shqipëri, Butrinti është një qytet i lashtë i stilit grek me gurë dhe shkëmbinj. Disa nga rrënojat këtu si, teatri në veçanti, janë të ruajtura jashtëzakonisht mirë. I gjithë kompleksi është i vendosur bukur nën pyjet me hije dhe në brigjet e një lagune të qetë bregdetare.

6. Shkodra

Qyteti i madh i Shkodrës, me ndërtesat e lyera me pastel dhe kuadratet elegante, ofron një ambient të stilit italian. Shtojini kësaj historinë dhe kulturën e pasur dhe do të keni një pushim të përsosur në qytet. Qyteti krenohet me disa nga muzetë më të mirë të Shqipërisë, si Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, i cili mbulon historinë e fotografisë në Shqipëri, dhe Muzeu i Dëshmitarëve dhe Kujtesës, i cili përshkruan të kaluarën e afërt komuniste të Shqipërisë, një kompleks kalash, disa restorante të shkëlqyera.

7. Alpet Shqiptare

Alpet shqiptare, të njohura ndryshe si Bjeshkët e Nemuna, janë një nga zonat më të bukura në Shqipëri. Luginat e këtyre maleve të larta janë të mbushura me livadhe, kullota dhe liqene me gjelbërim dhe fshatra të bukura prej guri. Shpatet, të cilat janë të pyllëzuara dhe marrin një ngjyrë të kuqe të ndezur dhe portokalli në vjeshtë, mbulohen nga akulli dhe bora për muaj të tërë. Vendi ofron shtigje te mrekullueshme për ecje të cilat gjarpërojnë nëpër shpatet, më e famshmja është shtegu i tre vendeve të Majave të Ballkanit, i cili përshkon vendet fqinje, Kosovën dhe Malin e Zi.

8. Apolonia

Pak e njohur për shumicën e vizitorëve të huaj në Shqipëri, rrënojat e qytetit antik ilir të Apolonisë janë një kompleks i madh 2500-vjeçar me mure, mozaikë dhe shtylla, të përhapura në kodra. Teatri dhe qendra administrative ruajnë ende madhështinë dhe muzeu i mbushur me thesare ia vlen të vizitohet. Një nga atraksionet më të mëdha të Apolonisë është ndjenja e saj e vetmisë së qetë. Ejani për historinë, qëndroni për qetësinë!

9. Plazhi i Gjipesë

Ecja 45 minuta buzë shkëmbit drejt plazhit të Gjipesë në Shqipëri fillon pranë mureve të trasha prej guri të Manastirit të Shën Theodorit. Sapo të shikoni këtë plazh të vogël me guralecë të bardhë, të vendosur poshtë shkëmbinjve në një gryke të pyllëzuar, do të mendoni se jeni në parajsën e plazhit mesdhetar. Ky vend ofron një kafene plazhi sezonale dhe një zonë kampingu bazë. Ejani në qershor ose shtator dhe mund t’i keni të gjitha për vete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat