Turizmi dhe e ardhmja e tij në fokusin e një konference ndërkombëtare

Turizëm

Turizmi dhe e ardhmja e tij në fokusin e një konference ndërkombëtare

Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 18:40
Foto ilustrim

Zhvillimet në fushën e turizmit dhe perspektiva e këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë shqiptare janë pjesë e konferencës ndërkombëtare që po mbahet në Universitetin e Shkodrës, me pjesëmarrjen e studiuesve nga universitetet e Shqipërisë, rajonit dhe më gjërë. Sipas studiuesve, rritja e shpejtë e numrit të turistëve ndërkombëtar po ndikon në ekonominë vendit, por, ata shtojnë, se është i rëndësishëm që turizmi të mbështetet në praktikat më të mira të turizmit të qendrueshëm për të patur një zhvillim afatgjatë.

Pjesëmarrja në konferencën ndërkombëtare e shumë studiuesve nga universitetet shqiptare si dhe të rajonit dhe europës është tregues i interesimit të stafeve akademike mbi përvojën shqiptare në fushën e turizmit, problematikat dhe perspektivat e këtij sektori.

Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në fund të muajit tetor, Shqipërinë e kanë vizituar rreth 9 milionë turistë të huaj, tregues ky 32 përqind më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kjo ka bërë që Shqipëria të përfshihet ndër destinacionet e rëndësishme turistike.

Numri i turistëve ndërkombëtarë ishte diçka e papritur. Nuk pritej në numra dhe shifra të tilla. Mendoj se vështirësia e parë, me të cilën u hasën të gjitha bizneset turistike, ishte mungesa e kapaciteteve. Kapaciteteve fizike për t’i shërby dhe infrastrukturave mikpritëse për t’i shërby këtyre turistëve, po njëkohësisht edhe në mungesën e kapaciteteve të burimeve njerëzore”, thotë Albana Boriçi, zv. dekane e fakultetit ekonomik, Universiteti i Shkodrës.

Profesoreshë Albana Boriçi thotë se promocioni që është bërë vitet e fundit për vlerat turistike, si nga qeveria ashtu edhe shoqatat dhe vetë turistët e huaj, përmes asaj që quhet "marketing gojor", ka ndikuar në interesimin e gjërë si për turizmin bregdetar, atë malor, kulturor, por edhe dentar.

Për profesoreshë Mirjam Dibrën, e cila drejton departamentin e turizmit në Universitetin e Shkodrës, investimet e realizuara ndër vite, si nga qeveria ashtu edhe sektori privat, në drejtim të infrastrukturës lidhëse me destinacionet turistike, rilindjes së zonave urbane, ngritjes së resorteve turistike dhe promovimin e trashëgimisë historike, natyrore dhe kulturore, kanë dhënë rezultatet e tyre ketë vit me shtimin e numrit të turistëve.

Por, profesoreshë Dibra shton se është e rëndësishme të vlerësohen problematikat e krijuara këtë vit nga fluksi i madh i turistëve të huaj.

“Prandaj duhet të ecet paralelisht me përgatitjen e infrastrukturës, supërstrukturës, me nxitësa, t’i stimulojnë që të vijnë investimet drejt Shqipërisë në mënyrë që të përballohet ky fluks. Por, sidomos, është e rëndësishme të përgatisim të rinjtë që të rrijnë dhe t’i shërbejnë turizmit. Tashmë edhe bizneset turistike janë ndërgjegjësu mbi rëndësinë që kanë burimet njerëzore dhe kanë filluar rritjen e pagave të punonjësve që shërbejnë në bizneset e tyre”, thotë ajo.

Për profesorin nga Universiteti Vidzeme, Aigars Anderson, Shqipëria ka burime të shumta turistike, një pjesë e të cilave ende të pashfrytëzuara. Në shumë vende europiane , thote ai, universitetet dhe kampuset e tyre janë jo vetem pjesë e programeve dhe projekteve për fuqizimin e sektorit turistik, por edhe pjesë e guidave turistike.

“Tani ambienti akademik po ndryshon, nuk ka rëndësi sa universitet i madh jeni dhe ku jeni, pasi rrjeti europian i universiteteve të së ardhmes krijon mundësinë e këmbimit të përvojave dhe programeve edhe në fushën e turizmit duke bërë që të jeni të dobishëm në fuqizimin e këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë vendase”, thotë ai.

Edhe pas përfundimit të sezonit të plazhit, numri i turistëve të huaj që po vizitojnë Shqipërinë vazhdon të rritet. Kështu, gjatë muajit tetor vendin e vizituan 691 mijë turistë të huaj ose 89% më shumë se një vit më parë. Për profesoreshë Boriçin, rritja e numrit të turistëve ndërkombëtarë që vizitojnë vendin është një e mirë për ekonominë pasi ata sjellin të ardhura dhe punësim.

Por, ajo shton se një vend i vogël si Shqipëria duhet të jetë i kujdesshëm në lidhje me turizmin masiv.

Eksperienca e vendeve europiane, që njihen për zhvillimin e turizmit në mënyrë masive, sidomos në vitet 70’,80’, ka treguar që turizmi masiv me kalimin e kohës bëhet më shumë i dëmshëm sesa me përfitim. Prandaj, që ta mbajmë sa më të qëndrueshëm, është e nevojshme të mbështetemi në praktikat e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm”.

Ndërkohë, sipas ekspertëve, sektori turistik i Shqipërisë deri në fund të vitit pritet të presë 10 milion turistë të huaj duke shënuar kështu treguesin më të lartë ndër vite./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat