Turizmi dyfishon biznesin e shërbimeve estetike (plastike) dhe dentare

Turizëm

Turizmi dyfishon biznesin e shërbimeve estetike (plastike) dhe dentare

Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 22:34
Ilustrim

Shqipëria është kthyer në një destinacion turistik jo vetëm për t’u argëtuar e për të kaluar pushimet, por edhe për të kryer turizëm shëndetësor.

Çmimet ende të lira të trajtimeve e ndërhyrjeve estetike, si dhe shërbimeve dentare, po tërheqin gjithnjë e më shumë të huaj.

Kërkesa e lartë po nxit bizneset e këtij segmenti, duke bërë që për herë të parë të ketë hyrje në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve.

“Sombrero” (Klinika Keit) është më e madhja në vend për mjekësinë e specializuar estetike me më se dyfishim të të ardhurave, në 900 milionë lekë. Edhe fitimet u trefishuan në 432 milionë lekë, me një normë prej 48%.

Burimet nga klinika thanë se gjysma e klientëve janë shqiptarë dhe gjysma tjetër, të huaj. Disa nga procedurat kirurgjikale që zakonisht kanë një kërkesë të lartë dhe preferohen nga pacientët janë:

-Lipoaspiracioni (liposuksioni), një procedurë e zakonshme për heqjen e yndyrës së tepërt nga zona e trupit si abdomeni, beli, gjinjtë dhe kofshët.

-Rinoplastika, një ndërhyrje për ndryshimin e formës së hundës për të përmirësuar pamjen e fytyrës.

– Face Lift: Kjo është një ndërhyrje për të zbutur rrudhat dhe për të kthyer një pamje më të re të fytyrës.

-Rritja e gjoksit: Në këtë kategori përfshihen ndryshimet e madhësisë së gjoksit përmes implanteve ose transferimit të yndyrës së trupit.

-Abdominoplastika: Një procedurë për të hequr qelizat e tepërta të lëkurës dhe yndyrën nga zona e barkut.

-Transplantimi i flokëve: Për persona me humbje të dukshme të flokëve, transplantimi i flokëve është një opsion, ku kërkesat janë kryesisht nga të huaj.

Shqipëria është një destinacion tërheqës për shërbime estetike për shkaqe të ndryshme, duke përfshirë çmimet e lira dhe cilësinë e shërbimit. “Çmimet për shërbimet estetike në Shqipëri janë zakonisht më të ulëta në krahasim me vendet e tjera.

Kjo bën që shërbimet të jenë më të arritshme për klientët dhe tërheq një numër të madh të pacientëve nga jashtë vendit.

Kemi kirurgë dhe ekspertë të fushës estetike, të kualifikuar, që janë trajnuar në shkolla të njohura dhe kanë përvojë të pasur në fushën kirurgjikale estetike dhe bashkëpunohet kryesisht me profesionistë italianë.

Raporti i kombësisë në pacientët tanë është 50% të huaj, 50% shqiptarë.  Nëse do të bëjmë një ndarje sipas gjinisë, do të thoja që emëruesi i përbashkët për të dyja gjinitë është rinoplastika, ndërsa diferenca qëndron te transplanti i flokëve për djemtë dhe zmadhimi i gjoksit + laseri për epilim për vajzat”, pohon Skerdilajd Faria, sipërmarrësi i Klinikës Keit.

Potenciali i shërbimeve dentare

Edhe klinikat dentare po rriten me shpejtësi. “Brianza Dent” është më e madhja, me të ardhura 1.3 miliardë lekë, pothuajse dyfishim në krahasim me vitin e mëparshëm. Në të njëjtën linjë u rritën dhe fitimet, duke arritur në 490 milionë lekë, me një normë prej 37%.

Klinika, sipas faqes së internetit, ofron një sërë shërbimesh dentare si implantet, fasetat, e-max, aparatet dentare, ortondoncia. Klinika thekson se u shërben si klientëve vendas, ashtu edhe të huaj.

“Etleva Dema” (Elite Dental) është një tjetër sipërmarrje në listën e më të mëdhenjve sipas fitimeve. Të ardhurat u dyfishuan në 477 milionë lekë dhe fitimet po ashtu në 284 milionë lekë, me një normë prej rreth 60%.

Sipas burimeve nga tregu, diferenca e lartë e çmimeve të shërbimeve dentare mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera, me rreth 35-40% më lirë, është ndër arsyet kryesore që po tërheq të huaj.

Konkurrenti kryesor është Turqia, që ka çmime të krahasueshme me Shqipërinë. Kroacia është një tjetër vend i preferuar, por ka çmime rreth 20% më të shtrenjta.

Operatorët pohojnë se mbi 80% e të huajve që vijnë në Shqipëri janë nga Italia. Një sërë aktorësh janë të angazhuar në këtë proces, si agjencitë në Itali e Shqipëri që reklamojnë nëpërmjet rrjeteve sociale, apo dhe vetë klinikat janë të lidhura me agjentë të ndryshëm.

Një person që ka probleme me të gjithë dhëmbët mund të marrë shërbimin e vendosjes së tyre në Shqipëri për 10 mijë euro, ndërsa në Itali kushton mesatarisht 20-25 mijë euro.

Kostot e akomodimit dhe të fluturimeve janë të ulëta, për më tepër që ofruesit e shërbimeve përgjithësisht herën e parë i mbulojnë vetë ato. Herën e dytë, pacienti duhet të paguajë vetë, por përgjithësisht kosto është rreth 300 euro.

Klientët italianë janë në pjesën më të madhe nga Italia e Jugut dhe të moshës mbi 50 vjeç. Burimet nga tregu thanë se ata nuk janë shpenzues të mëdhenj, teksa në kohën e lirë nuk preferojnë të dalin nga kryeqyteti dhe nuk shfaqin interes për guida turistike dhe për shkak të nivelit të tyre ekonomik. (herën e parë marrësit e shërbimit qëndrojnë në vend 5-6 ditë, por procesi është intensiv dhe ka shumë punë te dentisti.

Herën e dytë qëndrojnë 8-9 ditë, por kanë procedura më të thjeshta, marrje përmasash dhe si rrjedhojë kanë më shumë kohë të lirë për të shfrytëzuar).

Krahas italianëve, po tentohet të tërhiqen klientë nga shtete të tjera të Europës si Anglia, Franca, Belgjika, Holanda, ndonëse Turqia mbetet një konkurrent me markë të fortë. Më të vështirët janë nordikët, që janë skeptikë, për shkak se Shqipëria nuk ka emër në këtë treg.

Turizmi dentar po kthehet në një biznes të madh, përmasat e të cilit mbeten realisht të panjohura. Në treg po hyjnë shumë klinika të reja, të nxitura nga kërkesa e lartë që ka për këto shërbime, teksa informaliteti vijon të jetë i lartë, për shkak se pagesat bëhen kryesisht me cash.

Shtimi i konkurrencës ka rritur shqetësimin tek operatorët, se mund të bëhet në kurriz të cilësisë dhe kohës së shërbimit. Implantet janë shërbimet që kanë 10 vjet garanci dhe nëse shfaqin probleme më pas te klientët, pjesa më e madhe e të cilëve janë në moshë të madhe, mund të dëmtojnë imazhin e vendit.

Gjithsesi, operatorët sugjerojnë se potenciali i këtij tregu është i madh, por gjithmonë nëse do të kishte kontrollin e duhur nga institucionet shtetërore.

Operatorët e tregut pohojnë se interesi i të huajve për të marrë shërbime mjekësore në Shqipëri është aq i lartë, sa disa prej tyre, kryesisht në fushën dentare, po investojnë dhe në hapësirat akomoduese (minihotele), duke ofruar një shërbim të plotë për klientët e huaj./ Monitor

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat