Sezoni i ulët i turizmit po sjell në Shqipëri vizitorët që i shmangen vendeve të mbipopulluara dhe që kërkojnë destinacione autentike.
Dill, gruaja dhe vajza e tyre 3 vjeç udhëtojnë me një kamper. Ata mësuan për Shqipërinë prej një grupi miqsh francezë që kishin qenë më parë në thellësi të vendit kishin zbuluar banjat termale, shtigjet e vetmuara për hiking, kuzhinën lokale në fshat dhe vende ku mund të shijohet natyra.
Kështu që familja me tre anëtarë nga Gjermania vendosi të shijojë si fillim këtë Dhjetor banjat termale natyrore në Bënjë. Për ta uji dhe natyra janë një ofertë shumë e bukur e Shqipërisë në dimër. Në vëzhgimin e tyre njerëzit miqësore dhe bujarë që ndeshën e bëjnë Shqipërinë shumë më interesante në dimër.
“Këshillën e morëm prej miqve tanë francezë. I takuam në Meteora dhe na thanë se ky ishte një vend shumë i bukur dhe ja ku erdhëm. Jemi spontanë dhe na pëlqen dimri sepse nuk ka shumë njerëz. Ndoshta do të qëndrojmë këtu pranë lumit sot. Vaskat po na shijojnë edhe vajza po zbavitet shumë. Të gjithë njerëzit që takuam na kanë përshëndetur. Jemi shumë kurioz për Shqipërinë tani dhe mezi presim të zbulojmë më shumë”, tha Dill.
Sophia dhe miku i saj janë mësues në një shkollë në Gjermani që trajton fëmijë me disbalanca emocionale. Puna është e lodhshme tregon Sophia por shumë e bukur. Ata ishin duke kërkuar një mënyrë për pushime aktive dhe zgjodhën të përshkojnë gjithë Shqipërinë nga Veriu në Jug me biçikleta.
Ka qenë një udhëtim i gjatë por shumë i këndshëm, e shumë i përshtatshëm për sezonin e ulët. Ata po përgatisin mjetet pas një tjetër nate kampingu buzë Vjosës për të vijuar udhëtimin më në Jug.
“Hymë në Shqipëri nga Shkodra dhe qëndruam një natë në shtëpinë e një çifti shumë simpatik të moshuarish. Më tej drejt Durrësit. Pastaj dy ditë kemi qenë nëpër male. Ishte shumë bukur. Dje dhe sot qëndruam në kamp këtu buzë burimeve. Nata ishte pak e ftohtë dhe këmbët i kisha akull por vaskat janë një dhuratë pa çmim. Tani do ikim më në Jug. Do kthehemi në shtëpi përmes Greqisë. Shqipëria në dimër ishte fantastike pavarësisht se ndonjëherë e humbet rrugën pamë që mund të mbështetesh tek njerëzit”, tha Sophia.
Përgjatë sezonit të lartë territori i luginës së Vjosës u vizitua nga më shumë se 300 mijë turistë. Më shumë se 80% e tyre ishin të huaj. Destinacioni prezanton shumë mundësi për ta zgjatur sezonin por ende tendenca për të eksploruar përmes aventurës sfidohet nga mungesa e hartave, markimit të shtigjeve, mbylljes së një pjese të shërbimeve në dimër, rrezikut që vjen prej eksplorimit të paguiduar të kanioneve dhe politikave lokale e kombëtare të pamjaftueshme që do të duhej të mbështesnin zhvillimin e turizmit dimëror.