​Vendosen tabelat informuese për rëndësinë e Ujëvarave të Mirushës

Turizëm

​Vendosen tabelat informuese për rëndësinë e Ujëvarave të Mirushës

Më: 31 janar 2024 Në ora: 14:11
Foto ilustrim

Organizata për mbrojtjen e mjedisit Ecopana, përfaqësuese e WWF Adria në Kosovë, në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës kanë bërë sot vendosjen e tabelave informuese për rëndësinë e Ujëvarave të Mirushës si monument i natyrës me rëndësi të veçantë.

Vendosja e këtyre tabelave ka për qëllim të ndërgjegjësojë vizitorët për rëndësinë ekologjike, shkencore, estetike, kulturo-historike dhe atë turistike të Ujëvarave të Mirushës.

Territori i Ujëvarave të Mirushës ka një biodiversitet të pasur, me rreth 330 lloje të bimëve vaskulare, 44 lloje të kërpudhave të larta, lloje të shumta të shtazëve, e dhjetëra lloje të rralla insektesh të ujërave.

Tabelat informuese të sapo vendosura do të kontribuojnë në ndërgjegjësim mjedisor dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë në ruajtjen e trashëgimisë unike natyrore të Ujëvarave të Mirushës. Me vendosjen e këtyre tabelave, ne shpresojmë të nxisim turizëm të përgjegjshëm dhe të kontribuojmë në shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore”, tha Krenare Salihu, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Ecopana/WWF Adria në Kosovë.

Ajo sqaroi se aktiviteti për vendosjen e tabelave informuese është bërë në kuadër të projektit për pendën (digën) e Mirushës, që mbështet nga organizatat The Nature Conservatory (TNC), Open Rivers Programme (ORP), zbatuar nga Ecopana/WWF Adria në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, Komunën e Malishevës, Universitetin e Prishtinës si dhe institucionet tjera relevante.

Penda në Mirushë ishte ndërtuar ilegalisht midis viteve 2011 dhe 2013 fillimisht për prodhim hidroenergjetik, por tani nuk shërben për asnjë qëllim. Studimet e bëra në kuadër të këtij projektit të Ecopana/WWF Adriana në Kosovë për pendën e Mirushës tregojnë se ndikimi i saj ka qenë i dëmshëm për florën e faunën.

Ndërsa Sami Behrami nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Natyrës falënderoi Ecopana/WWF Adria për mbështetje në vendosjen e tabelave informuese.

“Këto tabela kanë rëndësi të veçantë meqë ata që e vizitojnë Mirushën do të njoftohen më mirë për vlerat e ujëvarave dhe potencialin natyror që posedon kjo zonë. Për shkak të këtyre vlerave kjo zonë në vitin 2012 me një vendim të qeverisë është e mbrojtur si monument i natyrës me rëndësi të veçantë me sipërfaqe prej rreth 600 hektarësh”, theksoi ai.

Drejtori për Urbanizëm në komunën e Malishevës, Avdi Morina gjatë vendosjes së tabelave informuese theksoi rëndësinë e kujdesit më të madh të institucionale lokale dhe qendrore për mbrojtjen e Ujëvarave të Mirushës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat