Me sloganin “Albania All Senses”, Shqipëria do të jetë sërish pjesë e panairit më të madh në botë të turizmit, ITB Berlin, që zhvillohet nga data 5 deri më 7 mars në Gjermani.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë videon me temë “Shqipëria bëhet gati të përfaqësohet në panairin më të madh të turizmit”.
“Shqipëria Turistike bëhet gati të përfaqësohet në panairin më të madh të turizmit, ITB BERLIN në Gjermani, ku përmes një prezantimi dinjitoz gjatë tre ditëve, nga data 5 deri më 7 mars, do të paraqesë më të mirën e ofertës sonë turistike, me një agjendë të pasur aktivitetesh, të cilat do të kulmojnë me marrjen e “stafetës” si vendi i nderit për ITB BERLIN 2025
Në këtë panair, Shqipëria do të prezantohet me një hapësirë kuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe me pjesëmarrjen e 26 turoperatorëve privatë dhe shtatë bashkive turistike që do të prezantojnë ofertat dhe potencialet e tyre në Berlin.
E pranishme do të jetë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, e cila e ka quajtur një përfaqësim dinjitoz të Shqipërisë dhe përgatitje për vitin 2025, ku Shqipëria do të jetë zyrtarisht “Vendi i Nderit” në ITB Berlin, duke përfituar nga një program 1-vjeçar promovimi.