Ujëvara e Sllapit në Selcë, mes peizazhit baritor të fshatrave të Shkodrës

Turizëm

Ujëvara e Sllapit në Selcë, mes peizazhit baritor të fshatrave të Shkodrës

Më: 13 mars 2024 Në ora: 10:30
Ujëvara e Sllapit në Selcë

Ujëvara e Sllapit në Selcë të Malësisë së Madhe është një nga shtigjet tërheqëse për hiking në Alpet e Shqipërisë, ku peizazhi magjepsës dhe baritor i fshatrave të Shkodrës të mbush shpirtin me gëzim. Pranvera në këto shtigje është një përrallë e vërtetë në Alpe.

Këtë gëzim sjell për publikun edhe fotoja e realizuar nga Bleron Çaka, një nga fituesit e Konkursit Ndërkombëtar të Fotove dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania”.

Fotoja e bën të pamundur të mos tërhiqesh nga përvoja që të dhuron kjo ujëvarë, ndërsa rruga deri atje kalon mes peizazhesh që pranvera u dhuron magji.

Fshati Selcë është një nga fshatrat që nuk duhet lënë pa vizituar në zonë. Ndodhet 8 km në anën veriore të qendrës së komunës së Kelmendit. Kjo zonë njihet për një natyrë të pasur e që rrethohet nga majat e larta. Fshati përshkohet nga kanioni i Gerrlës, i cili është krijuar nga rrjedhat e fuqishme të lumit Cem, duke i dhuruar një bukuri mahnitëse zonës.

Ndër atraksionet që fton çdo vit shumë turistë është edhe ujëvara e Selcës ose siç e njohin banorët ujëvara e Sllapit. Për të arritur në destinacion, duhen rreth 2 orë ecje mes shtigjesh malore interesante, peizazheve shumë të bukura, si edhe shpellave të shumta.

Ujëvara fillon me një burim të fuqishëm që del nga një e çarë shkëmbi e cila është formuar prej vitesh dhe rrëzohet nga një lartësi afro 30 m, duke i dhuruar zonës një ndër perlat natyrore në tokë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat