Në vitin 2018 qeveria shqiptare shpalli projektin e “100 fshatrave turistik” në të cilët do të investohej për t’i kthyer në shërbim të turizmit.
I njohur si një prej qendrave të Kastriotëve, por dhe vendlindja e Pjetër Budit, Guri i Bardhë në Klos është përfshirë në këtë projekt. Megjithëse kanë kaluar gjashtë vite dhe në këtë fshat nuk është parë asnjë investim. Banorët e Gurit të Bardhë kërkojnë investime nga qeveria dhe Bashkia e Klosit, të paktën në infrastrukturën rrugore, pasi gjendja e rrugëve nuk i shërben aspak turizmit.
Ndërtimi i rrugës së Arbrit i ka dhënë një impakt pozitiv zonës, por problem mbetet mungesa e investimeve në fshatra. Banorët u ankuan në Fiks Fare se fshati i tyre ndodhet vetëm 4 kilometra nga rruga e Arbrit, por i pa akceptueshëm nga turistët si pasojë e infrakstrukturës. Madje edhe vetë banorët kanë braktisur fshatin pikërisht për këtë arsye, mungesën e rrugës.
Por ky fshat ka shumë bukuri natyrore dhe historike. Nuk mungojnë monumentet e kulturës siç është shtëpia e shkrimtarit Pjetër Budi. Ura antike e Vashës, 250 vjeçare, që kalon mbi lumin e Matit dhe që vendasit e krahasojnë me urat veneziane . Por ura nuk është mirëmbajtur dhe ka pësuar dëmtime të cilat rrezikon jëtën e kujdo që ecën sipër, pasi është shumë e rrëshqitshme . Ura e Skurajve është një tjetër urë historike e cila nga DRKK Shkodër, me urdhër Nr. 423 dt.22.02.2019 të Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” Tiranë, ky objekt është shpallur në “Mbrojtje paraprake”. Kjo urë është e shekullit të XVIII. Pas nuk ngelet si monument edhe Kulla e Dezhgiajve, njohur si Kulla e Gurit Bardhë (Petralba). Si shtëpia e Pjetër Budit edhe Kulla Petralba qëndrojnë mbyllur, pasi prej vitesh nuk vihet dorë për restaurimin e tyre.
Në lidhje me gjendjen në të cilën ndodhen monumentet e kulturës në zonën e Gurit të Bardhë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit sqaroi se ato nuk ndodhen në listën emergjente të ndërhyrjeve.
Sipas ministrisë, ndërhyrjet në pasuri kulturore bëhen në bazë të një liste emergjente sipas kushteve të degradimit të tyre.Ndërkohë që shtëpia e Pjetër Budit dhe Kulla Petralba janë të mbyllura.
Fiks Fare kërkoi informacion pranë Bashkisë së Klosit nëse do të investonte për shtrimin e rrugëve në fshatin Guri i Bardhë.
Bashkia e Klosit në përgjigjen e saj shpjegoi se në inventarin e saj ka 514 km rrugë rurale në 30 fshatra, ku banon 85% e popullsisë së gjithë territorit që menaxhon kjo bashki.
Nga këto janë të asfaltuara vetëm 33.2 km, ndërsa pjesa tjetër prej 480.8 km janë të paasfaltuara.
Sa i përket segmentit rrugorë Shkallë-Gur i Bardhë është ndërhyrë disa herë nga bashkia, ku hera e fundit ishte në Tetor të Vitit 2023.
Por ndërhyrjet që përballon Bashkia e Klosit me fondet e saj janë shtrim me çakull të segmenteve problematike përgjatë gjithë gjatësisë së rrugës, hapje kanale anësore, pastrim i pemëve dhe shkurreve .
“Nisur nga kapacitetet e kufizuara që ne kemi në dispozicion, mundësitë tona janë vetëm në mirëmbajtje dhe rehabilitim me shtresa çakulli, gjë e cila nuk është një zgjidhje e përhershme, por për një periudhë jo shumë të gjatë”- sqaron Bashkia Klos në përgjigjen e saj.
Kjo bashki ka aplikuar në institucione të tjera për ndihmë si Fondi Shqiptar i Zhvillimit ku janë bërë dy aplikime, i pari është rehabilitim dhe ndërtim i gjithë projektit për segmentin në fjalë dhe aplikimi dytë nisur nga një thirrje e hapur për Shtresat Asfaltike.
Bashkia e Klosit në bashkëpunim me bashkitë e tjera të qarkut të Dibrës dhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit do të krijojnë Operatorin e Rrugëve Rurale dhe Turistike në Qarkun Dibër ,ku në fokus do të kenë rrugët rurale dhe turistike, ku bën pjesë edhe segmenti rrugor Shkallë–Gur i Bardhë. Deri atëherë të shpresojmë se banorët nuk do e braktisin komplet fshatin, e ndoshta rruga monumentet e kulturës kalojnë pastaj në listën emergjente të ndërhyrjeve.