​Hapet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, Kosova shënon rritje të numrit të turistëve

Turizëm

​Hapet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, Kosova shënon rritje të numrit të turistëve

Më: 12 prill 2024 Në ora: 13:43
Foto ilustrim

Mbi 300 biznese nga 15 shtete të ndryshme, po marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2024”, të organizuar nga Unioni i Turizmit të Kosovës, për vitin e tretë me radhë.

Me rastin e hapjes së këtij panairi, u vu në theks rëndësia e turizmit dhe promovimit të Kosovës për rritjen sa më të madhe të numrit të vizitorëve.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, tha se trendi i rritjes së numrit të vizitorëve ndërkombëtar në Kosovë po shënon vazhdimisht rritje. Sipas tij, në muajin janar të këtij viti ka mbi 50 për qind më shumë vizitorë, krahasur me janarin e vitit të kaluar.

Hoti tha se edhe gjatë vitit 2023, është shënuar një rritje prej 24,8 për qind e numrit të vizitorëve nga vendet ndërkombëtare, krahasuar me vitin 2022.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se organizimi i këtij panairi shërben si një qëllim jetik për kryeqytetin, duke vënë në qendër të vëmendjes potencialin e gjerë që e ka Kosova për zhvillimin e turizmit.

Rama potencoi se permes këtij panairi mund të arrihen shumë bashkëpunime të ndërsjella të agjensive turistike në rajon.

Ai tha se ky organizim është një mundësi për ta transformuar kryeqytetin në një qendër dinamike për tërheqjen e sa më shumë vizitorëve.

Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndermarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj tha se Kosova gjatë tri viteve të fundit është bërë gjithnjë e më shumë vend më tërheqës për vizitorë.

Ai potencoi se në vitin 2023 janë shënuar 1 milionë e 500 mijë netë qëndrime nga vizitorë ndërkombëtarë.

Arifaj përmendi se MINT-i ka hartuar ligjin për turizmin dhe strategjinë e turizmit për vitin 2024-2030, me qëllim tërheqjen e sa më shumë vizitorëve në Kosovë.

Ndërkaq, zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Vilma Bello nënvizoi se marrëdhëniet vëllazërore në mes Kosovës dhe Shqipërisë ekzistojnë jo vetëm në fushën e turizimit.

Ajo tha se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një mbështetese e fuqishme e Kosovës për njohje ndërkombëtare dhe integrimin e saj.

Bello përgëzoi të dyja shtetet për implementimin e marrëveshjeve në fushën e turizmit.

Ky panair do jetë i hapur për qytetarët përgjatë dy ditëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat