​Agjencitë turistike presin që të thyejnë rekorde me udhëtime këtë vit

Turizëm

​Agjencitë turistike presin që të thyejnë rekorde me udhëtime këtë vit

Më: 14 prill 2024 Në ora: 12:09
Panari Ndërkombëtar të Turizmit ‘Kosova 2024’,

Sot po mbahet dita e tretë e Panarit Ndërkombëtar të Turizmit ‘Kosova 2024’, i organizuar për të tretin vit radhazi nga Unioni i Turizmit të Kosovës, ku po marrin pjesë mbi 300 biznese nga 15 shtete të ndryshme të rajonit dhe Evropës, me ofertat dhe eksluzivitetet e tyre për vizitorët.

Qëllimi i këtij panairi është që të bëhet promovimi sa më i madh i turizmit në Kosovë, kështu duke rritur numrin e vizitorëve, që ndikon edhe në rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit tonë dhe mundësitë e punësimit.

Në këtë panair, ndër shumë biznese, po marrin pjesë edhe disa agjencione turistike siç janë: “Fibula”, “Prime”, “Plazh.com”, “Adria Tours”, e shumë të tjera.

Këto agjencione presin që këtë vit të thyejnë rekorde të reja sa i përket sukseseve të tyre, për çka thonë se me liberalizmin e vizave të Kosovës, kërkesa e klientëve për të udhëtuar është rritur jashtë mase.

Derisa udhëtimi për në Bullgari, direkt nga Prishtina u potencua si risia kryesore për këtë vit.

Pronari i Agjencionit “Fibula” në Kosovë dhe Shqipëri, Shpëtim Turku në një prononcim për KosovaPress tha se tremujori i parë i këtij vit ka pasur fluks më të madh të klientëve krahasuar me vitet e kaluara. Ai përmendi Greqinë, Spanjën, Italinë dhe Francën si vendet më të kërkuara nga klientët për t’u vizituar.

Risi për këtë vit, Turku përmendi fluturimin një herë në javë për në Bullgari.

Ai theksoi se ofertat e Fibulës janë të ndryshme dhe mundohen që t’iu përshtaten të gjithë “xhepave” të klientëve.

Turku: Kemi oferta për të gjithë xhepat e klientëve

"Sivjet kemi shumë risi pasi u hoqën vizat, si zakonisht kemi charter fluturime për Antalya çdo vjet, vazhdon tradita për Bodrum. Risi sivjet është charter fluturimi për në Bullgari, në Burgaz do të ketë avion një herë në javë edhe shpresoj që aty do të jetë promovimi i mirë dhe do të ketë çminime të mira ku do të shkon rinia dhe do të ketë hotele familjare...Ka pasur fluks më të madh se viteve të kaluara, ky tremujori i parë ka pasur fluks më të madh, por ne kryesisht jemi të orientuar në paketat turistike. Shumica shkojnë në Greqi, Spanja gjithashtu është shumë e vizituar, Italia, Franca dhe shumë vende të tjera...Ne çdo vjet rritemi më shumë e më shumë dhe kemi destinacione të reja, pra sivjet Greqia do të jetë edhe Bullgaria...Ne kemi oferta të ndryshme për të gjitha xhepat e klientëve, ka oferta të lira. Por, kryesisht klientët tanë janë që shkojnë në hotele me pesë yje", tha Turku.

Ndërkaq, Besnik Vathi nga Tour Operatori “Plazh.com” në Shqipëri tha se me liberalizmin e vizave, është hapur një mundësi shumë e madhe për turistët kosovarë.

Ai tregoi se organizojnë udhëtime për në 60 vende të ndryshme të botës, duke përfshirë Barcelonën, Athinën, Tokio, Dubain, Abu Dhabin e të tjera.

Derisa avantazh kryesor të këtyre udhëtimeve të organizuara nga “Plazh.com”, Vathi përmendi faktin se klientët mund të udhëtojnë në grupe, që ndikon në uljen e çmimeve.

Vathi: Organizojmë udhëtime deri në 60 vende të botës

"Është hapur një mundësi shumë e madhe për turistët kosovarë të cilët nuk u kërkohet më vizë në vendet e Evropës dhe në shumë vende të tjera. Dhe si tour operator me eksperiencë që organizojmë toure në rreth 50-60 vende të botës gjatë gjithë vitit me partnerin tonë Fibula, i kemi ofruar tregut të Kosovës mundësinë që të udhëtojnë bashkë me turistët shqiptar, në Paris, në Barcelonë, në Athinë, të lëvizin me kroçere, të shkohet deri në Tokyo në Japoni, apo në Dubai, Abu Dhabi, lëvizje që janë të shoqëruara dhe udhëtime në grup, që besoj njohin ofrojnë më shumë vlera historike, kulturore dhe traditat e vendeve të ndryshme dhe duke i shijuar gjatë udhëtimeve të tyre në grupe...Ajo që ofrojmë ne është, së pari një herë udhëtohet në grup. Udhëtimi në grup ka disa avantazhe me udhëtimet individuale. Avantazhi kryesor është çmimi", potencoi Vathi.

Ndërsa, agjeniconi turistik “Prime Travel”, po planifikon që Kosovës t’i sjell deri në 7 mijë turistë të huaj brenda vitit, me nënshkrimin e një kontrate pesë vjeçare me një operator të madh evropian.

Pronari i “Prime Travel”, Fisnik Dragusha për KosovaPress tha se posedojnë licencën tour operator në Zvicër, prej ku edhe kanë arritur deri tek kjo kontratë.

Ai potencoi se këta turistë do të vijnë për vizitë nga Gjermania, Austria dhe Zvicra.

Dragusha: Do të sjellim deri në 7 mijë vizitorë të huaj

"Ne si kompani funksionojmë që merremi me out going që nënkupton ofrojmë shërbime dhe destinacione në të gjithë botën, për qytetarët e Kosovës, apo të gjithë Ballkanit, por më e reja është që kemi arritur ta marrim një kontratë nga një operator shumë i madh evropian për të sjellur turistë të huaj në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në Mal të Zi. Kontrata është shumë serioze sepse është pesë vjeçare dhe parashihet të sjellë prej 5 mijë deri në 7 mijë turist brenda vitit të kategorisë së lartë të kategorisë së lartë. Pra, turistë që vijnë nëpër hotele me pesë yje dhe që blejnë paketa të shtrenjta...Është tregu DAH që thirret, që i bie Gjermani, Austri dhe Zvicër, nga të cilat vende ne do t'i sjellim turistët në këtë vend. Prime Travel ekziston si biznes me licencë tour operator edhe në Zvicër që nga shtatori i viti të kaluar, që është po ashtu risi për kompaninë tonë dhe përmes biznesit tonë atje e kemi fituar këtë kontratë", theksoi Dragusha.

Po ashtu, përfaqësuesi i agjencionit turistik “Adria Tours”, Granit Bajra tha se numri i qytetarëve që kanë dërguar për në Greqi dhe Bullgari është trefishuar, krahasuar me vitin e kaluar.

Edhe Bajra përmendi Bullgarinë si destinacionin më të ri dhe më të rëndësishëm për këtë vit.

Për KosovaPress, ai theksoi se në këtë panair kanë sjellur mbi 60 hotele nga Bullgaria dhe Greqia, të cilët kanë prezantuar ofertat e tyre.

Bajra: Viti 2024 do të jetë viti i Bullgarisë

"Për këtë vit, risia e kësaj vere do të jetë charteri për Bullgari, do të kemi Charter direkt nga Prishtina për në Burgaz, i cili do të jetë një herë në javë nga data 18 qershor. Është një linjë e re, që besoj që do të pritet shumë mirë nga tregu jonë. Gjithashtu, në këtë panair kemi sjellë mbi 60 hotele nga Bullgari dhe Greqia të cilat kanë prezantuar produktin e tyre sepse, pas liberalizmit të vizave interesi i qytetarëve ka qenë shumë i madh për këto dy vende për t'i vizituar...Numri i qytetarëve që kemi dërguar në Greqi dhe Bullgari është trefishuar nëse krahasohet me një vit më parë...Ne si Adria Tours njihemi për produktet tona që ofrojmë, të cilat më parë vizitohen nga stafi i jonë i shitjes dhe nga vetë unë si pronar, sigurohemi 100 për qind hoteli i plotëson nevojat dhe standardet për t'i dërguar klientët tanë aty...Viti 2024 do të jetë viti i Bullgarisë, është i vetmi destinacion i ri për këtë vit dhe besoj që kjo verë do të jetë shumë e mirë për ne si Adria Tours", tha Bajra.

Përveç agjencioneve turistike, në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ‘Kosova 2024’, ofertat e tyre i prezantoi edhe hoteli më i ri në Shëngjin “Great White Hotel”, me lokacion tek Rana e Hedhun.

Menaxheri i “Great White”, cili do të hapet me 1 maj, Keler Sufi tregoi se ky hotel përbëhet nga 60 dhoma dhe se çmimi i tyre gjatë sezonës së verës fillon nga 120 euro, duke përfshirë mëngjesin, pishinën dhe detajet e tjera të akomodimit.

Ai potencoi se kanë pritshmëri të larta për këtë vit sa i përket vizitorëve në këtë hotel.

Sufi: Në varësi të periudhës, ne kemi një ofertë të ndryshme

"Ofertat, ne kemi disa tipologji dhe hoteli jonë përbëhet nga 60 dhoma në total dhe vijojmë prej dhomave më të thjeshta, që janë më pamje nga parku, nga bahçja jonë, që është një dhomë dyshe...Në varësi të periudhës që ju vini atje, ne kemi një ofertë të ndryshme, por nëse flasim për periudhën e sezonit, për korrik, dhe gusht, kur edhe kulmon sezoni në Shqipëri dhe Shëngjin në veçanti, tipologjia e kësaj dhome dyshe vijon nga 120 euro me gjithë mëngjes, me facalitete të pishina, tek plazhi, shazllonet, qadrat dhe gjithë komoditet që ofron hoteli jonë. Pastaj vijojnë çmimet edhe për familjet që janë me dy e tre fëmijë...Ne mendojmë që do të jetë një vit shumë i mirë turistik në përgjithësi për Shqipërinë dhe Shëngjinin, por absolutisht edh për Great White Hotel ka për të qenë viti më i mirë patjetër. Sepse ky është viti jonë i parë që ne futemi në sezonë të plotë dhe kemi pritshmëri të larta", potencoi Sufi.

Ndërkaq, organizimi i këtij panairi u bë nga kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, për çka u shpreh se qarkullimi i vizitorëve këtë vit, ka tejkaluar çdo pritshmëri.

Ai tregoi se për herë të parë edhe shteti i Maltës po err pjesë në këtë panair me produktet e saj.

Hoti theksoi se përgjatë këtyre tri ditëve sa po zgjat panairi, të gjitha produktet janë me nga 20 deri në 45 për qind zbritje.

Hoti u shpreh i lumtur për mbajtjen e këtij panairi, ngase përmes tij tregohet edhe imazhi i Kosovës.

Hoti: Ky panair ka tejkaluar çdo pritshmëri

"Kanë kaluar pritshmëritë që ne kemi pasur. Ne kemi mbi 300 kompani të cilat dje dhe sot janë këtu, duke prezantuar produktet e tyre, qoftë nga Kosova dhe 14 shtete e tjera. Për herë ta parë në Kosovë, kemi arritur ta sjellim edhe shtetin e Maltës nëpërmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe interesimi nga shumë shtete të tjera është shumë i madh, që kanë sjellur sa më shumë tour operatorë të cilët veç janë duke i prezantuar produktet e tyre. Vlen të theksohet se të gjitha produktet këto dy ditë janë zbritje 20 deri në 45 për qind, të gjitha paketat, aranzhmanet e ndryshme. Fokusi jonë kryesor turizmit të Kosovës...Numri i vizitorëve ka qenë shumë më i madh se në vitin e kaluar, andaj të gjitha këto e bëjnë një element që pritshmëritë tona kanë qenë pak më të vogla, por e kanë tejkaluar çdo limit. Kështu që, jemi shumë të lumtur, të kënaqur që kemi arritur ta bëjmë një panair të tillë me kaq numër ekspozuesish dhe vizitorësh se fundi funti kjo është një imazh i Kosovës", theksoi Hoti.

Gjatë këtyre ditëve, Panairin Ndërkombëtar i Turizmit ‘Kosova 2024’ e vizituan qindra qytetarë. Ai do të jetë i hapur edhe sot për të gjithë ata që duan ta vizitojnë për të parë produktet dhe ofertat që prezantojnë bizneset e ndryshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat