Turisti “cheap”

Turizëm

Turisti “cheap”

Nga: Mimoza Dajçi Më: 13 maj 2024 Në ora: 15:19
Autorja Mimoza Dajçi

Termi "turisti cheap" që sipas përllogaritjeve të Bankës së Shqipërisë bëhet fjalë për turistët e kategorisë "C", d.m.th. të varfrit, përdorur nga ana e përfaqësuesit të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve në Shqipëri, Enri Jahja mendoj se është një gjetje e gabuar. Sipas tij turisti i huaj që frekuenton vendin nuk mund të cilësohet as shpenzues i një buxheti mesatar, ku mesatarisht shpenzimet e turistëve llogariten rreth 412 euro për person. Dhe këtë fakt nuk e kundërshtoj.

Ai i quan turistët "cheap". Të jesh i varfër nuk është turp, nuk është ndonjë gabim politik, përdorimi i këtij termi nga vetë ai në këtë kontekst është i tepërt. Endri Jahja thotë këtë për të gjithë turistët e botës përfshi edhe shqiptarët, duke lënduar më shumë akoma zemrat e shqiptarëve dhe të varfërve në botë.

Sipas tij, i paska parë, i paska vëzhguar. I ndjek ku hanë, ku pinë, ku qëndrojnë, ku flenë dhe thotë turistët "cheap". Nuk thonë kot, vesi i spiunllëkut del me shpirtin. Kjo mënyrë e të deklaruari të terrorizon vërtetë, tregon se akoma përndiqemi, survejohemi në mënyrë të hapur nga Enri Jahja dhe shokët e tij.

Ja si shprehet ai konkretisht "Mbështetur te lloji i restoranteve që parapëlqehet apo frekuentohet nga turistët e huaj që më tepër zgjedhin strukturat ku ofrohet ushqim zgare, kryesisht qofte dhe gatime tradicionale shqiptare për shkak të çmimeve ekonomike" e më tej vijon "Mbështetur tek e dhëna e shpenzimeve për person që llogariten rreth 420 euro, rezulton se në Shqipëri ka ardhur turisti i kategorisë C, pra turist “cheap” që harxhon më pak sesa harxhon një shqiptar kur frekuenton në muajt e verës resortin më të lirë në Turqi”.

Unë nuk e mohoj këtë fakt, pasi Banka e Shqipërisë i vlerëson këto shpenzime në vlerën e 2,3 miliardë eurove, në rritje me 32% krahasuar me një vit më parë dhe mesatarisht, shpenzimet e shqiptarëve jashtë llogariten rreth 332 euro për person, por pavarësisht ketyre shpenzimeve vret mënyra se si e përcjell ky zotëri këtë mesazh.

Jo të gjithë turistët janë të pasur. Jo çdo kush i ka konditat e luksin të bëhet pronar me djersë të ballit me tre apo katër vila në Shqipëri. Jo të gjithë turistët (të paktën shqiptarët) ushqehen e pinë nëpër hotele me 5 Yje. Jo të gjithë turistët relaksohen nëpër resorte të shtrenjta. E folura pa sens nuk i shërben mirësisë së turizmin. Shtrij këmbët sa ke jorganin thotë një shprehje popullore. Dhe kështu veprojnë turistët e varfër.

Dihet që turizmi sjell sfida për këtë sektor dhe na ballafaqon me kultura dhe preferenca të ndryshme, por kushdo që largohet nga Shqipëria ka arsyet e hallet e tij/saj, për mbijetesë, për shkollimin e fëmijëve, për një jetë më kualitative apo për arsye të ndryshme. Jo të gjithë që largohen nga vendi janë të pasur, jo të gjithë që jetojnë larg Shqipërisë janë të pasur. Ndryshe në atdhe do të vinim me yacht apo jet privat.

Vetëm një vajtje në tokën mëmë për një apo dy javë, pas 7-të apo 10-të vitesh nuk të dërgon atje se detyrimisht duhet të jesh i pasur, sepse sa më shumë i afrohesh aeroportit "Nënë Tereza" aq më tepër mbushesh me emocion, lot për vendlindjen tënde, të të parëve të tu, familjen tënde, gurëve të lagjes. Arsyet janë nga më të ndryshmet, e para turistët "cheap" kanë familjet e tyre atje që duan t'i vizitojnë, kanë probleme dokumentacionesh, sakrifikojnë që fëmija e tyre të njohë vatanin e prindërve.

Ndoshta nuk e dini por në emigracion një kryefamiljari i duhet të bëjë dy punë në ditë për të mbajtur familjen, paguar qiranë e apartamentit ku jetojnë, pasi dihet që qiratë e banesave janë rritur tashmë edhe në Shqipëri. Por në kësi rastesh jeta e emigrantit apo turistit "cheap" tregon se ai kurrë nuk lë pa paguar taksat atje ku jeton e punon me djersë dhe nuk merret me shpërdorim detyre, pastrim parash apo të bëhet pronar pallatesh brenda natës pa mund të madh, pasi siç shikojmë dyert e SPAK-ut në Shqipëri çdo ditë nuk kanë të ndalur nga denoncimet për korrupsion të lartë në vend.

Amerika nuk është i vetmi shtet që shpenzon me tepri. Dy faktorë shpjegojnë këto prirje. I pari lidhet me taksat. Në vendet e pasura, të ardhurat tatimore janë çuditërisht të dobëta. Taksapaguesit po vuajnë për shkak të trazirave të tregut në fund të vitit 2022 dhe në fillim të vitit 2023. Kompanitë teknologjike, të cilat paguajnë paga të mëdha, shkarkojnë stafin nga puna, duke shkurtuar tatimin mbi të ardhurat.

Pra mirëpritini turistët në Shqipëri, të jeni mirënjohës e falënderues për ardhjen e tyre, pasi edhe pse nuk janë të pasur, ata japin nga vetja mundin e punës së tyre vjetore, sado e vogël është ajo, por tregojnë respekt për Shqipërinë e ju duhet të ndiheni krenar për ata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat