Partizani fiton derbin dhe kryeson kampionatin me pikë të plota

Volejboll

Partizani fiton derbin dhe kryeson kampionatin me pikë të plota

Më: 21 mars 2024 Në ora: 11:22
Pamje nga ndeshja

Edhe Superliga e Kampionatit Kombëtar në Volejboll për Meshkuj është rikthyer në parket të mërkurën në mbrëmje, teksa është luajtur edhe takimi i fundit i javës së 12-të.

Kjo javë nisi më 15 mars me takimin Vllaznia-Teuta, që u fitua nga shkodranët 3-1, dhe atë Erzeni-Elbasani, që u fitua me të njëjtat shifra nga shijakasit, duke vijuar më 16 mars me përballjen tjetër, Skënderbeu-Studenti 2-3.

Dhe takimi i fundit ka qenë derbi i kryeqytetit

Ndryshe nga dueli i femrave, që u luajt më herët dhe dhuroi disa përmbysje, duke kurorëzuar në fund fituese vajzat bardheblu, ai i meshkujve ka qenë një rrugë me një kalim, pasi Partizani i drejtuar nga trajneri Ylli Tomori e ka mbyllur gjithçka në 3 sete, brenda 70 minutash.

Të kuqtë e fitojnë setin e parë 25-22, duke vijuar të mos lëshojnë as në atë të dytin, të cilin e fitojnë edhe më thellë 25-18.

Përtej nervozizmit që ka shpërthyer në parket midis setit të dytë dhe të 3-të, Partizani do ta fitojë setin e 3-të, 25-22 dhe gjithë ndeshjen 3-0 me sete, duke u ngjitur në kuotën e 36 pikëve, në vendin e parë, me një bilanc prej 100 % fitoresh dhe pikësh, plotë 9 pikë më tepër sesa Erzeni i vendit të dytë, dhe 13 më tepër se Vllaznia e vendit të 3-të. Tirana mbetet në vendin e 4-t, në kuotën e 21 pikëve, pas 12 javëve kampionat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat