Rikthehet Dinamo në elitën e volejbollit shqiptar

Volejboll

Rikthehet Dinamo në elitën e volejbollit shqiptar

Më: 23 mars 2024 Në ora: 15:54
Dinamo

Rikthehet Dinamo në elitën e volejbollit shqiptar.

Një emër historik që mungonte prej më shumë se sa 16 vitesh, ndërsa për herë të fundit pat dal kampion më 2008-ën. Një iniciativë për të ringritur Dinamon ishte e Altin Martirit, që për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar tregon vështirësitë e punës së tij, ndërsa skuadrat funksionojnë nga U-14 deri tek të rriturat.

"Është e vështirë për historinë që ka Dinamo, por edhe për vitet që ne e kemi ngritur këtë Akademi me një emër të madh si Dinamo. Nëse ne e rikthyem këtë vit në Superligë Dinamon, janë në fakt shtatë vite që ne po punojmë në këtë Akademi. Dhe krijuam këtë ekip, i cili për herë të parë mori pjesë në Kategorinë e Parë për ta rikthyer në elitën e volejbollit shqiptar", thekson Altin Martiri për RTSH Sport.

Në të gjitha ekipet e Dinamos, që nga të rriturat e deri tek moshat e vogla, blutë nuk kanë asnjë humbje. A do të mund të jetë e tillë dhe sezonin e ardhshëm në Superligë?

"Kategoria Superiore është kampionat shumë i fortë. Që do të thotë se të gjitha ekipet janë pothuajse me lojtare të huaja. Kështu që ne si Dinamo do të hyjmë për të konsoliduar këtë grup lojtaresh e vajzash të talentuar.

Po e përsëris prapë, kemi një grup vajzash të talentuara. Ne do t'i hedhim hapat e sigurtë, ashtu sikurse i kemi hedhur në këto shtatë vite", shpjegon i pari i pankinës blu.

Dinamo e të rriturave është një grup lojtarësh që ka të gjitha moshat brenda ekipit. Por që të jetë konkurruese duhet të ketë dhe përforcime. Martiri e di fort mirë këtë gjë.

"Lojtarja më e madhe që ne kemi në ekip sot dhe që luan në Superligë është 20 vjeç. Që do të thotë se forca dhe mentaliteti i një 20-vjeçare nuk është se mund të përballojë dot një kampionat të fortë si Superliga e me lojtare të huaja. Nëse kampionati do të ishte me lojtare shqiptare atëherë unë do ta deklaroja që do të përfaqësohemi denjësisht", mendon Martiri.

Dinamo numëron 20 tituj kampion dhe 21 Kupa të Shqipërisë. Pa harruar që ka qenë në katër më të mirat e Europës duke zënë dhe vendin e tretë më 1990-ën. A ishte detyrim personal për Martirin rikthimi i një emri si Dinamo?

"Duke parë vakumin që ishte krijuar, ndërsa Dinamo nuk ishte në volejbollin e femrave atëherë me emrin e madh që ka duhej bërë. Kur takoja Elën dhe Mozën e ata e ndjenin mungesën e Dinamos, atëherë thash pse të mos e zhvillonim. Sepse ato e donin shumë ish-skuadrën e tyre. Deri tani jemi duke e zhvilluar mirë", bën të ditur Martiri.

Por si funksionon Dinamo dhe a do të jetë trajner dhe në Superligë me ekipin e të rriturave Martiri, që në fakt pat hequr dorë nga trainingu kur u largua nga kombëtarja e të rriturave më 2019-ën?

"Kemi një Akademi të strukturuar mirë ku deri tani unë kam qenë edhe kryetrajneri dhe kam drejtuar këto vajza. Kemi një staf trajnerësh me Anita Borovën dhe Blerdi Sinanin.

Kemi drejtorin administrativ Theodhori Llapa. Kemi presidentin Eduard Bregu. Pra një strukturë e mirëorganizuar.

Jemi një grup që punojmë të gjithë bashkë e që japim e marrim nga njëri-tjetri më të mirën e mundshme", deklaron Martiri.

Historia e Dinamos vlen për ekipin aktual, a mundet të motivohet skuadra dhe duke patur ish-ët pranë? E Dinamo aktuale nuk harron të vlerësojë figurat e veta.

"Ela Tase, Mimoza Ibrahimi, Fatmira Podgorica kanë derdhur lot sepse ne i kemi dhuruar një bluzë të Dinamos, që ata nuk e kishin pasur në shtëpi. Pra ne bëmë të mundur që t'i jepnim nga një bluzë, që ata ta kishin atë në arkivin e tyre për atë mund dhe atë djersë që ato kanë derdhur", përfundon Martiri.  

Dinamo të shtunën luan me Mirditën dhe e mbyll me Elbasanin, atje ku do të jepet dhe trofeu i titullit kampion për Kategorinë e Parë, teksa shpresohet që gjithçka të luhet në “Feti Borova”, kjo me mirëkuptimin e verdhebluve, për ta kthyer në një festë për një emër të madh dhe historik që vjen në elitën e volejbollit të vajzave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat