KVF Ferizaj para festës, Arta Ramadani: Lojtaret amerikane janë ndihmë shumë e madhe për ne

Volejboll

KVF Ferizaj para festës, Arta Ramadani: Lojtaret amerikane janë ndihmë shumë e madhe për ne

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 31 mars 2024 Në ora: 14:17
Arta Ramadani

Ferizaj të hënën në orën 20.30 do të kremtojë rikthimin në elitën e volejbollit të Kosovës.

Volejbollistet e Ferizajt po përgatiten për sfidën e fundit të Superligës B, kundër Prishtinës F.

Vashat e kryetrajneres Arta Ramadani janë të bindura se do të fitojnë ndaj Prishtinës F.

Arta Ramadani ka folur për ecurinë gjatë kampionatit dhe sa ishte e mundimshme që të arrihet ky sukses. 

Ramadani beson e shpreson se në elitën e volejbollit, do të jenë një “kockë e fortë” për secilën rivale.

 “Bota sot”: Ferizaj në Superligë, sa ka qenë i vështirë ky rrugëtim?

Arta Ramadani:  Dy vite në superligën B me të vërtet ishte një sfidë të cilën arritëm që ta teljkalojmë, nuk e kishim të lehtë por ia dolëm që ta sigurojmë Superligën.

Po e presim edhe lojën e fundit me shpresë për fitore dhe të dalim kampion me vetëm një humbje në sezonin e kaluar.

Bota sot”: Me vetëmohim të pashoq e mbanin klubin, cili ka qenë çelësi i këtij suksesi?

Arta Ramadani: Nuk është e lehtë të mbash një klub me rreth diku 80 anëtare, duke filluar nga shkolla e volejbollit e deri te senioret. Kemi mungesë të trajnerëve dhe sallave por çelësi i suksesit është puna e palodhshme e njerëzve që kam afër vetes për të më ndihmuar rreth klubit por edhe  që ne të punojmë shumë edhe me gjeneratat e reja.

Gazmend Vranovci, Nazmi Luzha, Almedina Sejdiu dhe Avdush Luzha janë njerëzit kryesor për çdo sukses tonin.

“Bota sot”:  A janë vendimtare edhe lojtaret amerikane?

Arta Ramadani: Lojtaret amerikane janë ndihmë shumë e madhe për ne, në momente vendimtare ato janë që e bëjnë ndoshta diferencën sepse lojtaret tona janë te reja dhe disa edhe papërvojë. Ato kanë një energji tejet pozitive.

“Bota sot”: Vështirësi si shumë klube tjera, si po ia dilni financiarisht?

Arta Ramadani: Si çdo klub tjetër edhe ne kishim vështirësi, mirëpo këtë vit financiarisht kemi qëndruar më mirë se vitet e kaluara sepse ligji për sponzorizim na e ka lehtësuar punën.

Falënderim i veçantë për te gjithë sponsorët tanë Banka Ekonomike, Panorama Residence, Rinia Construction, Dini Company Consluting Translation, Braserie By Shamrock, Diagonal, Illyrian Gym, Agora Magick Food, Solo Divano, që fal tyre jemi për momentin në vend të parë.

“Bota sot”: Si e sheh Ferizajn në Superligë?

Arta Ramadani: Në Superligë objektivat e klubit janë të mëdha shpresojmë që të na u realizohen këto objektiva.

“Bota sot”: A mendoni se Superliga B ka qenë me nivel?

Arta Ramadani: Po nuk ishte nivel i ulët sepse në Superligë B ka ekipe shumë të mira të cilat e meritojnë Superligën A.

“Bota sot”: Cilat ishin rivalet më të mëdha?

Arta Ramadani: KV Suti Sport dhe KV Gjinocin, i kishim dy rivalet kryesore.

“Bota sot”: Edhe bashkëshorti iu ndihmon, një familje e mishëruar me sport, ia lehtëson punën?

Arta Ramadani: Burri im është krahu im i djathtë, ai është më meritor që pas martesës dhe tani më me tre fëmijë unë të vazhdoj ende karrierën time 24 - vjeçare në volejboll. Mbi të gjitha dua një falënderim publik për vjehrrën  time e cila kujdeset për fëmijët  tanë që ne të mund të merremi me stërvitje.

“Bota sot”: Çfarë premton për në Superligë?

Arta Ramadani: Sa i përket Superligës nuk dua të premtoj asgjë, do ia lëmë kohës.

“Bota sot”: Çka i duhet më shumë Ferizajt në edicionin e ri?

Arta Ramadani: ]Mbështetja e vazhdueshme e sponsorëve tanë që ne të mund të arrijmë objektivat tona. Punë përkushtim dhe normalisht të vazhdojmë të punojmë me gjeneratat e reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat